Mendime me vlerë nga intervista e Florian Qehajas
Kosova nuk ka ndonjë rrezik të lartë nga grupi militant Shteti Islamik, për shkak se ky grup i sulmon shtetet që kanë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Florian Qehaja, drejtor i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë.
Florian Qehaja: Fillimisht, konsideroj që nuk ka ndonjë rrezik të nivelit të lartë nga grupi i ashtuquajtur ISIS - Shteti Islamik, në Ballkanin perëndimor, për shumë arsye. Arsyeja e parë është që qëllimi i ISIS-it është që t’i sulmojë shtetet, të cilat kanë ndikim në marrëdhëniet ndërkombëtare. Ndërsa qëllimi final i ISIS-it është mbjellja e frikës dhe e pasigurisë te popujt e Evropës dhe më gjerë.
Florian Qehaja: Mendoj që ky ligji për regrutim për të luftuar në vendet e Lindjes, realisht, nuk mund ta ndalojë shkuarjen e qytetarëve të Kosovës atje, për arsye se edhe Kodi i tanishëm penal, në njëfarë forme i sanksionon të gjitha veprimet, të cilat do të ndërlidheshin me ekstremizmin e dhunshëm dhe me terrorizmin.
Konsideroj që janë forma të tjera që kërkojnë angazhim gjithëpërfshirës, të gjithë aktorëve në Kosovë, për të parandaluar ekstremizmin e dhunshëm. Ky është bashkërendim i shtetit me BIK-un (Bashkësinë Islame të Kosovës) dhe me imamë që kanë ndikim në komunitet, pastaj edhe investime të menjëhershme në arsim, kulturë, një kampanjë e gjerë mediale dhe një definim i kundër-narrativës ndaj grupeve ekstreme. Kjo do të kontribuonte në parandalim.
Kurse, ligji, në aspektin e sigurisë e ka një relevancë, por nuk i parandalon qytetarët tanë që t’iu bashkëngjiten grupeve në Siri, e aq më parë nuk ndihmon në deradikalizmin, sepse personat që tashmë janë radikalizuar, do të kërkojnë një qasje tjetër në këtë drejtim.
Florian Qehaja: Unë mendoj që rasti i Kumanovës ia ka dhënë një njollë të zezë Kosovës, për arsye se shteti i Maqedonisë dhe shtetet në rajon kanë bërë një korrelacion, mbase jo të drejtë, në mes eksportimit të Kosovë me luftëtarë në shtetet tjera, në këtë rast në Siri dhe Maqedoni. Me këtë shembull, Kosova tregoi që nuk ishte e aftë që të dekonspirojë dhe në njëfarë forme të veprojë në raport me parandalimin e shkuarjes së qytetarëve tanë atje, ani pse ka një indikacion që organizimi i kësaj implikon persona të caktuar për interesa të politikës maqedonase.
Florian Qehaja: Është një stabilitet, i cili ka elemente të brishtësisë. Beogradi ka një vullnet të përkohshëm për të bërë një riorganizim të caktuar në veri të vendit. Do të thotë, që t’i fusë këto struktura brenda sistemit të sigurisë të Kosovës, në njërën anë, kurse në anën tjetër të fitoj pikë diplomatike te BE-ja, në mënyrë që t’i fillojë negociatat me BE-në. Mendoj që nuk mund të jepen garanci që do të ketë qetësi në atë pjesë të vendit, mendoj që kompleksiteti i marrëdhënieve Kosovë- Serbi është aq i lartë, sa që ne mund ta fitojmë stabilitetin e sigurisë, por në anën tjetër nuk e kemi stabilitetin politik në marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Florian Qehaja: Unë mendoj që çështja e miratimit të amendamenteve kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës nuk është një çështje e izoluar. Ajo është e ndërlidhur me dy procese tjera politike dhe kushtetuese. Është në mes të vendimit për Gjykatën Speciale (për Krime Lufte) dhe vendimit të ardhshëm për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.
Kjo është fatkeqësi, sepse ne nuk arritëm që me kohë ta shtyjmë para projektin për themelimin e Forcave të Armatosura. Kur them “ne”, bazohem në faktin që shumica absolute e qytetarëve të Kosovës janë për themelimin e Forcave të Armatosura, kështu që ka një konsensus të plotë politik të të gjithë faktorëve politik në Kosovë që të ecet me krijimin e Forcës së Armatosur.