Vatikan: Mesazhi për Ramazan nga Këshilli Papnor
“Të
krishterë e myslimanë: së bashku për t’iu kundërvu dhunës që ushtrohet në emër
të fesë”: ky është titulli i mesazhit dërguar myslimanëve nga Këshillit Papnor
për dialogun ndërfetar me rastin e fillimit të Ramazanit. Urimet drejtuar besimtarëve të fesë islame,
në emër të Papës Françeskut, janë të kardinalit Jean-Louis Tauran, President i
Këshillit Papnor, e atë Miguel Ayuso Guixot, sekretar i të njëjtit dikaster të
Selisë së Shenjtë.
Vatikani nënvizon seriozitetin e rëndë të krimeve që janë bërë ndaj disa
komuniteteve etnike e fetare: “Për disa ndër ju, si dhe për të tjerët që u
përkasin komuniteteve të ndryshme fetare, mbi gëzimin e festës bie hija e
kujtimit të të dashurve që kanë humbur fetën apo që kanë humbur të mirat e tyre
apo që kanë vuajtur fizikisht, mendërisht e deri edhe shpirtërisht për shkak të
dhunës. Komunitete etnike e fetare në shumë Shtete të botës kanë pësuar vuajtje
të mëdha e të padrejta: vrasja e disa anëtarëve të tyre, shkatërrimi i thesarit
të tyre kulturor e fetar, emigrimi i detyruar e dëbimi prej shtëpive e qyteteve
të tyre, ngacmimi e përdhunimi i grave të tyre, robërimi i disa anëtarëve të
tyre, tregtimi i qenieve njerëzore, tregtimi i organeve, e deri edhe shitja e
kufomave”. Për Selinë e Shenjtë “ajo që e bënë edhe më të urryer gjendjen është
përpjekja e justifikimit të akteve të shëmtuara në emër të fesë”.
“Do të ishte e tepërt të thuhet se ata që kanë përgjegjësinë e sigurisë e të
rendit publik – lexohet akoma në mesazh – po kështu kanë edhe detyrën për t’i
mbrojtur njerëzit e pasurinë e tyre para dhunës së verbër të terroristëve. Në
anën tjetër, ekziston edhe përgjegjësia e atyre që kanë detyrën e edukimit:
familjet, shkollat, tekstet shkollore, udhëheqësit fetarë, fjalimet fetare,
mediat.
Dhuna e terrorizmi lindin së pari në mendjen e personave të devijuar, më pas
kalojnë e zbatohen në terren. Të gjithë ata që janë të përfshirë në edukimin e
të rinjve e në fusha të ndryshme të edukimit, do të duhej të mësonin vlerën e
shenjtë të jetës e të dinjitetit që ka çdo njeri, pavarësisht nga etnia e tij,
feja, kultura, pozita shoqërore apo përcaktimi politik. Nuk ka asnjë jetë
personale që është më e çmueshme se jeta e dikujt tjetër për arsye të
përkatësisë së tij specifike të racës apo fesë. Prandaj, askush nuk mund të
vras. Askush nuk mund të vras në emër të Zotit; do të ishte një krim i
dyfishtë: krim kundër Hyjit e kundër vet njeriut”.
Burimi: RV