Shqipëri

Reformat zgjedhore si sukses paraprak i drejtimit të duhur rilindas

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore Bledi Çuçi dhe Ministri i Financave Shkëlqim Cani, mori pjesë në forumin “Reforma administrative territoriale: E nesërmja!”. Reforma territoriale ka hyrë në fazën e plotë të zbatimit. Qeveria ka krijuar Agjencinë e Zbatimit të Reformës Territoriale, për menaxhimin e procesit të tranzicionit nga ndarja e vjetër në bashkitë e reja. Bashkitë e reja do të jenë ofruesi më i rëndësishëm i shërbimeve publike për qytetarët dhe aktori kryesor në nxitjen e zhvillimit ekonomik lokal. Në buxhetin e 2015-s është miratuar fondi i tranzicionit prej 20 milionë dollarësh që u vihet në dispozicion bashkive të reja. Transferimi i kompetencave të reja do të dyfishojë peshën e buxhetit lokal në shpenzimet publike. Për herë të parë do të miratohet një ligj i financave lokale, i cili do të shoqërohet me reformimin e sistemit të taksës së pasurisë dhe krijimin e kadastrës fiskale. Krijimi i 61 njësive të reja të zhvillimit është qasje e re, ku “territori është trupi i një shteti, banesa e një shoqërie, hapësira që kemi në dispozicion për të krijuar”, u shpreh Kryeministri.

Pas kësaj, Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro prezantuan projektin për rikonstruksionin e Liceut Artistik “Jordan Misja” dhe të sallës së baletit në Universitetin e Arteve. Qëllimi i këtij projekti është krijimi i standardit të ri bashkëkohor për edukimin e artistëve të rinj. Duke parë gjendjen tejet të amortizuar të godinës së Shkollës Koreografike, ndërhyrja konsiston në rikonstruksionin e shkollës; sistemimin e terreneve të jashtme; krijimin e zgjidhjeve për sigurinë dhe emergjencën; rikonstruksionin e fasadave dhe sistemit të termoizolimit e të kursimit të energjisë. Përfitues nga realizimi i projektit do të jenë 240 nxënës dhe 33 mësues. Kurse nga rikonstruksioni i Liceut Artistik “Jordan Misja”, përfitues të drejtpërdrejtë janë 980 nxënës dhe 170 mësues. Së bashku me nxënësit të ish-shkollës “Kosova”, që i zhvillojnë mësimet pasdite (turni i dytë) në këtë godinë, në total janë rreth 2.300 përfitues. Rikonstruksioni total i Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit e Teatrit “Migjeni” në Shkodër janë disa nga veprat që do të vazhdojnë rrugën e rimëkëmbjes së kulturës.

Si përfundim, në pragë të zgjedhjeve, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në Konferencën e Industrialistëve të Rinj, në rajonin e Ligurias në Itali. Lehtësitë e shumta që ofron Shqipëria për investitorët e huaj, avantazhet e kornizës fiskale dhe klima e favorshme për të bërë biznes ishin në fokus të prezantimit të Kryeministrit, duke i ftuar sipërmarrësit italianë për të shtrirë bizneset e tyre edhe në vendin tonë. Konferenca, e konceptuar si një bisedë e lirshme, u moderua nga gazetari i mirënjohur Enrico Mentana. “Në Shqipëri, - u shpreh Kryeministri, - na duhet të nxitojmë dhe t’i japim Qeverisë sensin e një sipërmarrjeje, sepse për shumë vjet kemi qenë të bllokuar nga një burokraci e shëmtuar. Prirja ka ndryshuar duke filluar që vjet. Ka rreth 400 ndërmarrje të reja. Këtë vit presim të tjera, sepse po të shohim problemet politike të Italisë, duket sikur jemi pjesë e të njëjtës botë, të njëjtit vend, të njëjtës histori dhe falë kësaj afërsie, mund të bëjmë më shumë me Italinë dhe mund të përfitojmë.” Nga sipërmarrësit në konferencë u shpreh interes i gjerë për mundësitë që ofrojnë sektorë të ndryshëm të ekonomisë shqiptare.