Kosova

Xhamia e Bajraklisë në Prizren

Xhamia e Gazi Mehmed Pashës apo xhamia e Bajraklisë është xhamia qendrore e Prizrenit me 36 xhamitë ekzistuese momentale. Ajo është ngritur në vitin 1573/74 nga ana e ushtarakut të Perandorisë së famshme Osmane  Gazi Mehmed Pasha i cili ka marr pjesë në shumë fushëbeteja anembanë Perandorisë Osmane. Titullin Gazi “fitimtar”e mori pas fitoreve të bujshme në fushëbeteja të ndryshme në Greqi, Kroaci, Hungari. Gazi Mehmed Pasha gjatë jetës së vet  ka lënë shumë vakëfe dhe hajrate. Në Prizren përveç xhamisë së Bajraklisë ka ndërtuar edhe hamamin(banjo publike), medresenë (shkollë e mesme islame, tyrben(mauzoleu), mejtepin(shkollë fillore), ders-hanen(amfiteatër i vogël), kitabhanen(bibliotekë) në kuadër të kompleksit të xhamisë së Bajraklisë. Tyrben e ngriti në oborr të xhamisë së Bajraklisë me dëshirë që aty edhe të varrosej, por ajo ka mbetur e zbrazur, pasi që ka ra në fushëbetejë në Hungari në vitin 1596 dhe se aty është varrosur. Në tyrben e ndërtuar tani është vendosur biblioteka me dorëshkrime të vjetra orientale, në të cilin gjenden rreth 200 kitabe( libra) nga koha e Perandorisë Osmane në gjuhën arabe, perse dhe osmane (turke). Aty gjendet edhe një raritet i rrallë me vlerë jashtëzakonisht të madhe, dorëshkrimi i vjetër i Kur’anit nga viti 1312. Medreseja e Gazi Mehmed Pashës ka qenë medreseja më e vjetër, jo vetëm në Prizren, por edhe në Kosovë, e cila ka punuar vazhdimisht gjer në vitin 1947 kur e kanë ndërprerë me dhunë procesin edukativo arsimor pushteti i atëhershëm komunist i ish Jugosllavisë. Gazi Mehmed Pasha ka shërbyer në shumë pozita të larta të Perandorisë Osmane, ka qenë vali në Erzurum e Nigebol të Turqisë, në vitin 1543 një kohë të shkurtër ka qenë vali i Bosnjës, si dhe beglerbej i Smederevës në Serbi. Gjatë ndërtimit të xhamisë së Bajraklisë ka qenë sanxhakbej i Qystendilit në Bullgari. Përveç hajateve(bamirësive) që ka ngritur në Prizren, në Budapest ka ngritur një hamam, një han(konak) dhe 2 teqe, ndërsa në Beograd një xhami dhe medrese.

 

Xhamia e Bajraklisë për besimtarët mysliman të Prizrenit është e një rëndësie të veçantë. Në atë mbahen të gjitha aktivitetet fetare për nderë të netëve të mëdha, muajit të Ramazanit, ditëve të Bajramit, si dhe të namazeve ditore, javore,mujore dhe vjetore të rregullta të cilat janë falë me xhemat pa ndërprerë edhe gjatë luftës dhe bombardimeve të NATO-së gjatë vitit 1999. Në popull është e njohur me emrin xhamia e Bajraklisë, pasi që prej ditëve të para të punës së saj, është ngritur flamuri në maje të minares për nderë të ditëve festive të saja dhe festave të Bajramit, traditë e cila vazhdon edhe në ditët e sotshme. Përveç tjerash, për Ramazan më së pari ndizen kandilat (dritat) gjatë iftarit, të cilat edhe shërbejnë si sinjal  për xhamitë tjera të qytetit të Prizrenit. Në te rregullisht mbahet edhe duaja(lutja) e haxhit dhe se prej xhamisë së Bajraklisë në mënyrë të organizuar bëhet edhe përcjellja e haxhinjëve për në Qabe të ndritur. Gjatë muajit të bekuar të Ramazanit rregullisht këndohet edhe mukabelja si dhe ekzekutohen programet e ndryshme fetare për nder të ditëve të shënuara fetare nga ana e talebeve (nxënësve) të Medresesë së Prizrenit si paralele e ndarë e Prishtinës, si dhe imamëve të qytetit të Prizrenit, në organizim të Këshillit të Bashkësisë Islame(Vakëfit) të Prizrenit.

 

Mbi derën hyrëse të xhamisë qëndron mbishkrimi në gjuhën osmane, ku përveç tjerash shkruan: “se kjo xhami është ngritur në vitin 981 hixhri, nga ana e Gazi Mehmed Pashës i cili nuk e ka ngritur këtë xhami për shyhret(bukuri), por për emër të Allahut, të shërbejë qytetit të Prizrenit”.  Për ndërtimin e xhamisë së Bajraklisë kemi dy rivajete (gojëdhëna) tek populli:

Rivajeti i parë:” Gjatë kohës së ndërtimit të xhamisë kanë punuar shumë punëtor të rinj, e gjatë ditëve të nxehta verore kanë hjek , për shkak të mospasjes së lokacionit të duhur për të bërë busull(larjen) e më pas edhe abdest për të falur pesë kohët e rregullta të namazeve ditore. Pasi është njoftuar me këto probleme Gazi Mehmed Pasha, i ka ndërprerë punimet e xhamisë, dhe urdhëroi që më parë të ndërtohet hamami, ashtu edhe u bë, pas përfundimit të hamamit, shumë më lehtë dhe me një shpejtësi të duhur vazhduan punimet në ndërtimin e saj, pasi që punëtorët tani i kishin të gjitha kushtet e duhura për punë të mbarë”.

Rivajeti i dytë:” Para ndërtimit të xhamisë së Gazi Mehmed Pashës, Gazi Mehmed Pasha në oborrin e saj, në lokacionin e caktuar, në një gropë ka fshehur një sasi e caktuar të arit, i cili do të shërbejë për rastet e jashtëzakonshme të dëmtimit të xhamisë me rastin e fatkeqësive të ndryshme sikurse janë të reshurat atmosferike, tërmetit, rrufeve, luftërave, zjarreve, të cilët do të kishin  dëmtuar xhaminë. Me një rast xhamia është dëmtuar shumë me rastin e vetëtimave të rrufeve , një besimtari të rregullt të xhamisë së Bajraklisë i cili falej pesë vaktet e namazeve rregullisht në xhami, ka parë në ëndërr tri net me rrallë se në lokacionin e duhur të oborrit, gjendet  një sasi e konsiderueshme të arit . Ëndrrën e vet ja tregon imamit të xhamisë, i cili së bashku me xhematlinjë gropojnë në atë vend dhe gjejnë sasinë e duhur të arit dhe me atë e kanë riparuar dhe rregulluar në tërësi xhaminë e dëmtuar”.

 

Xhamia e Bajraklisë shtrihet në një sipërfaqe të tërësishme prej 1907m2, nga e cila brendësia e xhamisë shtrihet  në 771m2 dhe oborri me sipërfaqe prej 1.136m2. Me rastin e faljes së namazeve të Bajramit mund të falen edhe gjer ne 1000 besimtar në këtë xhami madhështore dhe krenare e qytetit të Prizrenit. Ka kuben qendrore në të cilin janë vendosur një varg çupësh, të cilët prodhojnë  akustikë natyrore në xhami. Në brendi të xhamisë gjenden gjithsejtë  27 dritare me dimensione të ndryshme si dhe një derë hyrëse, si dhe pesë hyrjet anësore ndihmëse të xhamisë. Në oborrin e xhamisë gjenden dy dyer hyrëse, e përparmja dhe e prapmja. Mihrabi(vendi i caktuar nga i cili imami i xhamisë udhëheq xhematin me rastin e faljes së përbashkët) si dhe mimberi( vendi caktuar në xhami nga cili imami i xhamisë i mban ligjëratat javore dhe vjetore)  janë ndërtuar prej materialit të posaqshëm , që i përngjet një lloj mermeri të butë. Mbi mimber është e vendosur një levhë e bukur me thënjen”Bismil-lahirr-rrahmanirr-rrahim” si dhe 8 levhat e zakonshme me mbishkrime të njohura të cilat sipas traditës gjenden anembanë xhamive të botës. Mahfili(vend i caktuar në xhami nga i cili myezini i ndihmon imamit gjatë udhëheqjes së namazeve të rregullta me xhematë) është ndërtuar prej llojit të drurit të posaçshëm dhe të qëndrueshëm. Çursi(vendi i caktuar në xhaminë të cilin imami i xhamisë i mban  derset-ligjeratat para fillimit të namazeve javore, mujore dhe vjetore) është ndërtuar me një bukuri të rrallë, e cila është punim dore i mjeshtrit të rrallë të punimeve të drurit, haxhi Ramadan Rexhepllarit. Në brendi të xhamisë gjenden edhe dy sahate të mëdha nga koha e Perandorisë Osmane si dhe një sahat i ri i kohës më të re. Në anën majtë dhe të djathtë të xhamisë gjenden vendet apo lokacione shtesë, në të cilat  gjatë Ramazanit falen edhe gratë, si dhe janë edhe dy hapësira plotësuese para xhamisë, të cilët shërbejnë për të falur xhematlinjtë pasi që e tërë hapësira e brendshme e xhamisë mbushet.

 

Në vitin  1993-1994 nën udhëheqjen e imamit të xhamisë së Bajraklisë Reshat ef. Mexhiti dhe në koordinim të plotë të Bashkësisë Islame në Prizren si dhe ndihmës së pakursyer të xhematit të Prizrenit është kryer  restaurimi apo riparimi i tërësishëm i  xhamisë së Bajraklisë dhe mund të themi lirisht se sot kompleksi i tërësishëm i xhamisë së Gazi Mehmed Pashës në kuadër të cilit hynë ish medreseja(tani muzeu i Lidhjes së Prizrenit), ders-hanja(tani shtëpia e Lidhjes së Prizrenit), biblioteka, mejtepin(tani godina e Këshillit të Bashkësisë Islame të Prizrenit), paraqet me të vërtet “per exellens” apo shembull i xhamisë më të rregulluar dhe të mirëmbajtur jo vetëm në Prizren por edhe në Kosovë dhe mund të krahasohet vetëm me kompleksin e xhamisë së Gazi Husrevbeut në Sarajevë të Bosnjës. Kur jemi tek kompleksi i xhamisë nuk mund e të mos përmend edhe 8 krojet (çesmet), të cilët gjenden në oborr të xhamisë, dhe të cilët rrjedhin pandërprerë ditë e natë, dhe të cilët gjer para luftës së Kosovës, kanë pasur ujësjellës të posaçëm që nga periudha osmane, e cila tani nuk funksionon, pasi që është kyçur në kompleksin e ujësjellësit të qytetit, ka pas qëllua gjatë kohës kur për shkak të ndonjë avarie apo prishje të ujësjellësit, i tërë qyteti është furnizuar me ujë prej xhamisë së Bajraklisë gjer te evitimi i prishjes së ujësjellësit të qytetit.

 

Përveç tjerash xhamia e Bajraklisë e ka edhe rëndësinë historike të saj për popullin shqiptar në përgjithësi, ashtu që qyteti i Prizrenit me kompleksin e Lidhjes së Prizrenit i ka një  rëndësi të jashtëzakonshme, pasi që aty janë vu themelet e para të krijimit  të shtetit shqiptar e cila u kurorëzua në vitin 1912 me shpalljen e Shqipërisë, pas largimit të Perandorisë Osmane nga Ballkani. Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit u mbajt më 10 qershor 1878 në xhaminë e Bajraklisë, e jo në ders-hanen apo shtëpinë e tanishme të Lidhjes së Prizrenit, që është një shtrembërim dhe falsifikim i qëllimshëm dhe me prapavi të caktuara politike, ky kuvend ishte  përgjigje ndaj vendimeve të padrejta të Kongresit të Berlinit, i cili njohu përveç tjerash pavarësinë e Serbisë, Malit të Zi, si dhe zgjerimin e tyre si dhe të Greqisë në dëm të trojeve shqiptare të banuara me shumicë shqiptare të cilët ishin në kuadër të Perandorisë Osmane.

 

Me rastin e shënimit të përvjetorit të Lidhjes së Prizrenit, saktësisht me datën 12 qershor 2007 në organizim të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe myftiut të saj Naim ef.Tërnava është vendosur pllaka përkujtimore në xhaminë e Bajraklisë me këtë mbishkrim të shkurtër: ” Në këtë xhami është mbajtur Kuvendi i Lidhjes së Prizrenit, 10 qershor 1878”.