Analistët: Marrëveshja me Iranin përballet me “pincat” e Kongresit Amerikan
Netanjahu, i cili kishte dërguar zyrtarë të lartë të kabinetit të tij në SHBA për të lobuar kundër një marrëveshjeje me Iranin, e konsideroi marrëveshjen e përkohshme si një gabim historik
Një analist amerikan tha se marrëveshja për armët bërthamore ndërmjet Iranit dhe gjashtë fuqive botërore u përball me një provë të vërtetë në kongresin Amerikan, i cili është nën presionin e lobit izraelit.
Profesor James Petras, i cili është autor i disa librave mbi Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme, e bëri këtë koment të mërkurën në një intervistë për Press TV.
Petras e quajti marrëveshjen e 24 nëntorit një hap historik përpara. Por, shtoi se « lufta e madhe akoma nuk ka ardhur, e ajo është përballja me lobin izraelit, i cili ka një ndikim të madh në Kongresin Amerikan ».
“Kjo është axhenda e kryeministrit izrealit Benjamin Netanjahu. Kjo është arsyeja pse lobi izzraelit po bën presion mbi Kongresin. Kjo nuk duhet të miratohet dhe mendoj se e vetmja mënyrë për Shtëpinë e Bardhë është që t’i bëjë ballë kësaj dhe të vazhdojë përpara me hapat e ndërmarrë, duke filluar nga marrëveshja e parë që është zhvilluar.” – shtoi ai.
Irani dhe pesë anëtarët e përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së - Shtetet e Bashkuara, Britania, Rusia, Franca dhe Kina - plus Gjermania, nënshkruan më 24 nëntor në Gjenevë një marrëveshje të përkohshme, për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje të plotë të mosmarrëveshjës së vjetër prej dekadash të Perëndimit me Iranin mbi programin e energjisë bërthamore të vendit.
Irani ka pranuar të limitojë disa aspekte të aktivitetit të tij bërthamor, si pjesë e marrëveshjes. Ndërsa SHBA-të dhe aleatët e saj kanë pranuar të heqin disa nga sanksionet ekonomike, si dhe t’i jepet akses në një pjesë të të ardhurave, që Teheranit i janë mohuar përmes këtyre sanksioneve. Nuk do të ketë sanksione të tjera shtesë.
Shtëpia e Bardhë ka premtuar jo vetëm parandalimin e sanskioneve të reja, por edhe lehtësimin në mënyrë të konsiderueshme të sanksioneve ekzistuese. Dhe kjo varet nga bashkëpunimi i Kongresit.
Disa anëtarë të Kongresit kanë diskutuar me muaj për vendosjen e më shumë sanksione ndaj Iranit, por u tërhoqën pasi administrata Obama u kërkoi më shumë kohë, në mënyrë që diplomatët të arrijnë një marrëveshje.
Menjëherë pasi u njoftua marrëveshja, Netanjahu, i cili kishte dërguar zyrtarë të lartë të kabinetit të tij në SHBA për të lobuar kundër një marrëveshjeje me Iranin, e konsideroi marrëveshjen e përkohshme si një gabim historik dhe u zotua se Izraeli do të bëjë gjithçka për ta penguar atë.
Burimi: Press TV