Mesha e Natës. Papa: bota ka nevojë për dhimbsuri, butësi, mirësi
Sipas Radio Vatikanit, Hyji nuk e njeh shpërthimin e inatit e të padurimit: është gjithnjë pranë nesh, si babai i shëmbëlltyrës së djalit plangprishës, në pritje për ta parë nga larg birin e humbur. Këtë theksoi Papa në homelinë e Meshës të Natës së Krishtlindjes, kremtuar në Bazilikën e Shën Pjetrit, me pamje madhështore feste.
Historia e shëlbimit dhe durimi i Hyjit
Duke rikujtuar
historinë e shëlbimit, plot me tradhti njerëzish e popujsh, e qëndrimin e
Zotit, Papa nënvizoi “ky është durimi i Hyjit”. Sa e vështirë është ta kuptosh
këtë, komentoi pastaj, duke përsëritur disa herë me ton meditativ: “durimi i
Hyjit”.
Hyji, që i kishte mbështetur të gjitha shpresat mbi njeriun e krijuar sipas
ngjasimit e shëmbëlltyrës së Tij, priste. E priti gjatë, aq gjatë, sa në një
farë pike duhet të kishte hequr dorë. Po ai nuk mund të hiqte dorë, sepse nuk mund
ta mohonte vetveten. Prandaj, vijoi të priste me durim, përballë shthurjes së
njerëzve e të popujve.
Populli, që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe…
Derisa Natën e
Betlehemit “Populli, që ecte në errësirë, pa një dritë të madhe; mbi ata që
banonin në tokën e hijes së vdekjes, zbardhi drita”. (Is 9,1).
Me këtë profeci të
Isaisë Profet e nisi homelinë Papa, për ta vijuar me kumtin e Ungjillit
“Engjëlli i Hyjit u afrua tek barinjtë e lumnia e Zotit i shndriti” (Lk
2,9). Kështu e paraqet liturgjia e Natës së Shenjtë lindjen e Shëlbuesit,
si dritë, që depërton kudo dhe davarit errësirën më të dendur. Prania e Zotit
në mes të popullit të vet e shlyen barrën e disfatës dhe trishtimin e
skllavërisë. Sjell gëzim e hare.
Edhe ne, në këtë natë të bekuar, erdhëm në shtëpinë e Hyjit nëpër errësirën që
mbështjell tokën, kujtoi Papa, por të prirë nga flaka e fesë, që i shndriti
hapat tanë e të frymëzuar nga shpresa për të gjetur dritën e madhe. Duke e
hapur zemrën tonë, edhe ne kemi mundësi ta kundrojmë mrekullinë e këtij
Fëmije-diell, që ndriçon horizontet, duke lindur mes nesh.
Mesazhi i madh: Hyji i dashuruar me vogëlsinë tonë.
Prej këndej, Papa
kujtoi mesazhin e madh, që buron nga festa: “Ajo, që e prisnin të gjithë, që të
gjithë e kërkonin me shpirt, nuk ishte tjetër veçse dhimbsuria e Hyjit: Hyji,
që na shikon me sy plot dashuri, që e pranon mjerimin tonë. Hyji i dashuruar me
vogëlsinë tonë.
Kjo Natë e madhe, vijoi të kujtonte Papa, me kundrimin e Krishtit Fëmijë të
sapolindur e të vendosur mbi grazhd, na fton të reflektojmë: “Si e presim
dhimbsurinë e Hyjit? E lëmë të na afrohet, të na përqafojë, apo e pengojmë?”. E
edhe nëse përsërisim pambarimisht “Po unë e kërkoj Zotin”, duhet ta kemi mirë
parasysh, nënvizoi Françesku, se gjëja më e rëndësishme nuk është ta kërkosh,
por të mos e pengosh, kur vjen të të përkëdhelë me dashuri.
Arrogantët e krenarët nuk janë të aftë ta pranojnë Zotin
Dhimsuri, afërsi, butësi; kjo është lutja, që duhet t’ia drejtojmë Zotit, vijoi
Papa, që të mund ta shikojmë dritën e madhe, atë të cilën e panë dymijë vjet më
parë, ata që e kishin zemrën të pastër. E panë njerëzit e thjeshtë, të gatshëm
për ta mirëpritur Hyjin. Përkundrazi, nuk e panë arrogantët, krenarët, ata që
bëjnë ligje sipas kritereve të tyre personale, që ia mbyllin zemrat Zotit.