Papa në avion: Kur’ani është libër i paqes, krerët myslimanë të dënojnë terrorizmin
Gjatë udhëtimit për në Romë, në kthim nga Turqia, Papa Françesku pati një bisedë me gazetarët, që e shoqëronin në avion. U prekën shumë argumente, por ajo që sot mbush faqet e para të gazetave është përgjigjja e Atit të Shenjtë për pyetjen e parë mbi islamofobinë e kristianofobinë.
“Kurani është libër i
paqes”, nënvizoi Papa. Nuk mund të vihet shenja e barazisë ndërmjet islamit dhe
terrorizmit, por është e nevojshme që krerët myslimanë t’i dënojnë atentatet e
sulmet terroriste:
“Do të ishte bukur sikur të gjithë krerët islamikë – kushdo qofshin, krerë
politikë, fetarë, ose akademikë – të flisnin qartë e ta dënonin terrorizmin,
sepse kjo do ta ndihmonte shumicën e popullit mysliman të thotë ‘Jo!’, por me
të vërtetë… nga goja e krerëve të vet”.
E pastaj, mendimi i
Papës Françesku shkoi tek martirët e krishterë, të persekutuarit, që po
largohen me forcë nga Lindja e Mesme. E pikërisht nga ky martirizim, që prek
gjithë të krishterët e jo vetëm katolikët, lind ekumenizmi i gjakut, nënvizoi:
“Martirët tanë po ngrenë zërin sa munden: ‘Jemi një! Jemi të bashkuar që tani,
në shpirt e në gjak”.
Ati i Shenjtë
përsëriti dëshirën e tij për të shkuar në Irak, megjithëse në këtë çast, nuk
është e mundur:
“Nëse unë do të shkoja në këtë çast, do të krijoja një problem mjaft serioz për
autoritetet, problem sigurie… Por do të më pëlqente shumë e dua të shkoj”.
Papa Françesku
theksoi sërish idenë e shprehur edhe herë të tjera, se njerëzimi po përjeton
një lloj Lufte III Botërore, por vende-vende, një konflikt këtu e një atje.
Shkaku i saj nuk janë vetëm armiqësitë, por edhe ekonomia, e cila ka vendosur
në qendër të jetës së kësaj bote “Zotin para” e jo njeriun. Një nga shembujt e
qartë është trafiku i armëve:
“Më vjen ndërmend viti i kaluar, në shtator, kur thoshin se Siria ka armë
kimike. Unë besoj se Siria nuk ishte në gjendje të prodhonte armë kimike. Kush
ia shiti? Ndoshta, ndokush prej atyre, që e akuzuan më pas se i kishte? Nuk e
di. Por në këtë çështjen e armëve ka shumë mister”.
Përsa u përket armëve
bërthamore, Papa vuri në dukje se njerëzimi akoma nuk ka mësuar nga pësimi. Më
pas, Ati i Shenjtë iu përgjigj pyetjeve nga më të ndryshme. Për 100-vjetorin e
genocidit armen, që do të përkujtohet vitin që vjen, kujtoi letrën e shkruar
nga kryeministri turk Erdogan mbi këtë argument, e cila, sipas Papës,
pavarësisht se u kritikua nga ndokush si “tepër e dobët”, u shtriu dorën
armenëve e kjo është gjithnjë pozitive. Duhet të lutemi për pajtimin e popujve,
tha Ati i Shenjtë, duke uruar hapjen e kufirit turko-armen.
Dialogu me ortodoksët
ishte një nga argumentet e tjera të bisedës me gazetarët. Nëse presim që
teologët të merren vesh ndërmjet tyre, citoi Papa batutën e Palit VI, dita e
bashkimit nuk do të vijë kurrë; do të duhej të mbylleshin të gjithë teologët në
një ishull. Por, fryma e ekumenizmit ushqehet me lutjen, punën e bamirësinë e
përbashkët, nënvizoi Françesku, duke përsëritur dëshirën e tij për t’u takuar
me Patriarkun e Moskës, Kirill. “I kam thënë – qeshi Papa – se unë vij ku të
duash. Ti veç më thirr e unë vij. E ai dëshiron të njëjtën gjë”. Por në këtë
moment, kemi çështjen e Ukrainës e Patriarku ka probleme të tjera. Sa i përket
ekumenizmit, Papa përsëriti idenë e shën Gjon Palit II për të diskutuar mbi
parinë e Ipeshkvit të Romës në mënyrë që shërbimi i tij të pranohet nga të
gjithë:
“Për formën e parisë,
duhet të kthehemi pak në shekullin e parë për të gjetur frymëzimin. Nuk them se
Kisha ka gabuar: jo, jo. Ka ecur në udhën e saj të historisë. Por tani, rruga
historike e Kishës është ajo, që pati kërkuar shën Gjon Pali II: ‘Më ndihmoni
të gjej një pikë marrëveshjeje në dritën e mijëvjeçarit të parë’”.
Kisha nuk duhet të shohë vetëm vetveten, sepse kur ndodh kjo, tha Papa, kur
Kisha sheh vetveten e jo Krishtin, kur mendon se ajo është drita e jo thjesht
bartëse e Dritës, krijon ndarje. Kisha shndërrohet kështu në një ojq(organizatë
jo qeveritare) teologjike. Hapi i parë që uroi Papa në udhën e dukshme të
ekumenizmit është festimi i Pashkëve në të njëjtën ditë.
Më pas, Ati i Shenjtë
foli për vizitën në Xhaminë Blu. Ndjeva nevojën të lutem sidomos për paqen,
tha. E për dialogun ndërfetar shpjegoi se ka ardhur koha të bëhet një hap
cilësor përpara, që ai të mos mbetet në nivelin teologjik, ndërmjet krerëve,
por të jetë dialog i përvojës së përditshme të besimtarëve.