U paraqitën udhëtimet e Papës Françesku në Strasburg e në Turqi
Sipas Radio Vatikanit, për dy herë, gjatë javës së ardhshme, Papa Françesku do të marrë avionin për të shkuar fillimisht në Parlamentin e Strasburgut, më 25 nëntor e, pastaj, në Turqi, nga 28 deri më 30 nëntor, ku do të takohet me Patriarkun Ekumenik të Kostandinopojës, Bartolomeu I.
Të dyja këto udhëtime
u paraqitën gjatë një konference për shtyp nga zëdhënësi i Vatikanit, atë
Federiko Lombardi. Udhëtimi i fundit i një pape në Strasburg ka qenë ai i Gjon
Palit II, në vitin 1988, nënvizoi atë Lombardi:
“Kuadri i sotëm është
vërtet shumë i ri e kjo justifikon udhëtimin e Papës, i cili përmes tij do t’i
flasë gjithë Evropës, jo vetëm Bashkimit Evropian, por mbarë kontinentit e
popujve të tij”.
Përsa i përket
polemikave për konfuzionin, që mund të shkaktojë fakti se Papa është kreu i një
feje dhe kreu i një shteti njëkohësisht, ja përgjigjja e atë Federiko Lombardit:
“Ajo që do të vija në
dukje e, që të gjithë e dimë shumë mirë, përfshirë Papën vetë, është se Papa
nuk është kreu i një shteti me fuqi ushtarake, ekonomike, ose me interesa
politike të veçanta. Prania e Atit të Shenjtë në botën e organizmave
ndërkombëtare është ajo e një autoriteti të madh e të njohur në nivel botëror,
që prej shekujsh. Është prania e një autoriteti të madh me karakter fetar e
moral, përfaqësues i një bashkësie të shumënumërt, siç është ajo e Kishës
Katolike. Vetë institucionet e shtetet dëshirojnë të kenë marrëdhënie me këtë
autoritet e të kenë përfaqësuesit e tyre pranë tij. Kjo do të thotë se
autoritetet politike të botës e kuptojnë dhe e pranojnë rëndësinë e mesazhit që
sjell Papa e të mendimit të tij për problemet e vlerat e mëdha të njerëzimit
si: paqja, drejtësia, mirëqënia, bashkëjetesa ndërmjet popujve”.
Ndërkaq, udhëtimi në
Turqi mund të shihet në vazhdën e traditës së vizitave papnore në atë vend e të
marrëdhënieve me Patriarkanën e Kostandinopojës, me të cilin Selia e Shenjtë
shkëmbejnë delegacionet për festat e ndërsjella. Më 30 nëntor është pikërisht
festa e Patriarkanës, ajo e shën Andreut e gjithsesi, një delegacion vatikanas
shkon si zakonisht për të marrë pjesë, ashtu siç vjen në Romë një delegacion
nga Patriarkana në festën e Shën Pjetrit e të Shën Palit, më 29 qershor. Atë
Lombardi shpjegoi arsyet e këtij udhëtimi:
“Natyrisht, ka një
vëmendje të veçantë për vendin mikpritës, pra për Turqinë. Turqia ndodhet në
Lindjen e Mesme, kemi çështjen e dialogut ndërfetar, sepse ajo është me shumicë
myslimane, por ka një bashkësi të vogël katolike, e cila, si zakonisht kur Papa
udhëton jashtë Vatikanit, merret parasysh me kujdes për ta inkurajuar e
vizituar. E siç e dimë, aty ndodhet selia e Patriarkanës Ekumenike me
Patriarkun Bartolomeu, me të cilin kemi dialog vëllazëror miqësie prej kohësh”.
Gazetarët pyetën nëse
Papa do të takohet me refugjatët e konfliktit aktual në Siri e në Irak, të
cilët janë strehuar në Turqi. Ja përgjigjja e atë Lombardit:
“Në takimet e
Stambollit, me të rinjtë dhe në katedrale, sigurisht do të ketë njerëz, që nuk
janë vetëm vendasit, por që arrijnë nga anë të ndryshme. Prandaj, aty mund të
jetë rasti, ku sigurisht, mund të gjejmë një prani të këtij lloji”.
Udhëtimi i Papës në Turqi do të ketë kryesisht karakter ekumenik e do të kurorëzohet me nënshkrimin e deklaratës së përbashkët me Patriarkun Bartolomeu.