Papa Françesku: Shkoj në Turqi për të kapërcyer pengesat me ortodoksët
Sipas Radio Vatikanit, Papa Françesku tha: Shkoj në Turqi, me dëshirën e kapërcimit të pengesave, që akoma na ndajnë nga ortodoksët. Kështu tha Papa Françesku në audiencën me anëtarët e “Orientale Lumen Foundation in America” (Fondacioni ‘Drita e Lindjes’ në Amerikë). Pa risim të brendshëm, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk mund të ketë dialog të vërtetë ekumenik.
Në më pak se një muaj, udha e dialogut katoliko-ortodoks do të zgjatet me një
hap tjetër përpara. Edhe një herë, një takim, një përqafim, do të anulojë
fizikisht, për disa çaste, atë distancë, e cila ekziston e reziston që prej
njëmijë vjetësh e që, nga Koncili II i Vatikanit, zvogëlohet gjithnjë e më
tepër. Më 30 nëntor, në Stamboll, Patriarku i Kostandinopojës dhe Ipeshkvi i
Romës do të ndodhen njëri përballë tjetrit. E Papa u flet për këtë anëtarëve të
Fondacionit amerikan, që mban emrin e Letrës Apostolike të Shën Gjon Palit II
kushtuar bashkimit me të krishterët e Lindjes:
“Vizita e Ipeshkvit të Romës në Patriarkanën Ekumenike dhe takimi i ri ndërmjet
Patriarkut Bartolomeu e mua vetë, do të jenë shenja të lidhjes së thellë, që
bashkon selinë e Romës me atë të Kostandinopojës, por edhe të dëshirës për të
kapërcyer, me dashuri e vërtetësi, pengesat, që akoma na ndajnë”.
Anëtarët e Fondacionit ndodhen për shtegtim në Romë e udhëhiqen pikërisht nga
një ortodoks, nga mitropoliti i Diokeia-s, Kalistos. Papa Françesku u kujtoi se
shtegtimi i frymëzuar nga feja na ndihmon ta risojmë shpirtin, të ndryshojmë
nga brenda:
“Këto përmasa janë absolutisht thelbësore për të vijuar edhe rrugën, që çon
drejt pajtimit dhe bashkimit të plotë të të gjithë besimtarëve në Krishtin. Nuk
ka dialog të vërtetë ekumenik, pa gatishmërinë për t’u risuar shpirtërisht, për
të kërkuar besnikërinë më të madhe ndaj Krishtit e ndaj vullnetit të Tij”.
Shtegtimi i anëtarëve të Fondacionit synon kujtimin e shën Gjonit XXIII e të
shën Gjon Palit II. Shembulli i këtyre shenjtorëve, nënvizoi Papa, është shumë
i rëndësishëm për ne dhe i shndrit hapat tona drejt bashkimit:
“Ndër gjërat e shumta, që mund të përmendim, është se Shën Gjoni XXIII, kur
shpalli se do të mblidhej Koncili II i Vatikanit, vuri ndër qëllimet e tij,
pikërisht unitetin e të krishterëve e se shën Gjon Pali II i dha një shtytje të
rëndësishme përpara impenjimit ekumenik të Kishës Katolike me Letrën e tij
enciklike ‘Ut Unum Sint’”.
Në përfundim të audiencës, Papa Françesku kërkoi lutje që me ndërhyrjen e dy
shenjtorëve paraardhës të tij, ta kryejë misionin e ipeshkvit të Romës, në
shërbim të bashkimit e të unitetit në Kishë, duke iu bindur gjithmonë vullnetit
të Zotit.