Shqipëri

Shqiptarët duhet ti mbyllin plagët me Serbinë

Olsi Jazexhi

 

1.

Imagjinoni për një moment sikur në vitin 1999 bota të sundohej nga Traktati i Varshavës, dhe Greqia të ishte pjesë e saj. Dhe sikur Shqipëria të kishte qenë pjesë e NATO-s dhe Perëndimit gjatë luftës së ftohtë. Dhe sikur në vitin 1991 në vend që të mundej Bashkimi Sovjetik të mundeshin Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe pas rënies së bllokut kapitalist në Perëndim, Rusia me në krye Traktatin e Varshavës të sulmonte jugun e Shqipërisë dhe krahinat e Korçës, Gjirokastrës dhe Sarandës - të njohura ndryshe si Vorio Epir - për të mbrojtur grekët etnikë që vuajnë nën persekutimin shqiptar dhe me këtë rast këto qytete t'i merreshin me dhunë Shqipërisë dhe të krijoheshin si një republikë me vete. Në shtetin që do të njihej si Epir, ortodoksët grekofonë do të dëbonin me dhunë muslimanët drejt Shqipërisë, do t'u merrnin shtëpitë dhe tokat dhe udhëheqësit e Shqipërisë që kishin ndihmuar shqiptarët që të ruajnë jugun - më pas të çoheshin në Hagë dhe të dënoheshin për krime lufte. E në anën tjetër, në krye të Republikës së Vorio Epirit, Rusia të vendoste në pushtet ca grekomanë me emra tip Ramushis Haradinaqis dhe Atifetes Janaqis - njerëz banditë e kriminelë që gjatë luftës kanë vrarë e përdhunuar grekë e shqiptarë.

 

Imagjinoni gjithashtu, sikur 15 vite pas kësaj mizorie ruso-ortodokse, në vitin 2014 Shqipëria e cila do jetë nën embargo dhe sanksione nga Blloku Sovjetik pasi nuk njeh akoma pavarësinë e Epirit të Veriut - dhe vuan për bukën e gojës - një ditë prej ditesh të luaj një ndeshje futbolli me Greqinë, në stadiumin Dinamo në Tiranë. Dhe gjatë ndeshjes, një huligan grek të fluturoj mbi kokat e lojtarëve shqiptarë një drone me një flamur të Greqisë së Madhe - Greqi e cila shtrihet që nga Durrësi - në Shkup e deri në Stamboll. Dhe gjatë këtij provokimi, një lojtar shqiptar me emrin Altin Korçari të shkojë dhe të heqi këtë flamur provokues nga fusha - por në këtë moment të grushtohet nga lojtari grek me emër Janis Karamelos. Çfarë do të bënin shqiptarët përpara këtij provokimi? Luftë apo jo? Do hidheshin në stadium dhe do i shqyenin me grushta e shkelma pushtat grek. Apo jo?

 

2.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Beograd në datë 14 tetor, kur Shqipëria luajti me Serbinë. Personat që fluturuan dronin mbi stadiumin 'Partizani' në Beograd provokuan serbët dhe prishën një lojë e cila synonte të shëronte plagët ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë dhe t'i tregonte këto vende, si vende normale në Evropë.

 

Por edhe pse ne shqiptarët, që që nga viti 1999, falë agresionit të Amerikës kundër ish-Jugosllavisë kemi fituar dhe i kemi marrë Serbisë provincën e Kosovës, sërisht sot, 15 vite pas kësaj fitoreje që na dhuroi tjetër kush, vazhdojmë ti shajmë dhe provokojmë serbët. Ndërsa jam mëse i bindur që serbët kanë kryer shumë krime lufte kundër shqiptarëve, siç kanë kryer edhe kosovarët krime kundër serbëve, sot 15 vite pas copëtimit final të Jugosllavisë koha ka ardhur që shqiptarët ti lënë provokimet ndaj serbëve.

 

3.

Edhe pse shumë vetë mua më kanë sulmuar në internet, pasi kam kritikuar palën shqiptare për provokimin që ajo bëri në Beograd - ku disa më pyetën - po serbët që na shanin Ubi Ubi Siptara pse nuk i sulmon - mua më duhet të them që unë këtu nuk jam avokat i serbëve. Serbët kanë bërë krimet e tyre në provincën turke të Kosovës që ata e pushtuan me forcat e tyre në vitin 1913. Krimet serbe kundër muslimanëve shqiptarë, turq, boshnjak, etj janë të mirënjohura. Por ato janë krime që çdo pushtet bën mbi popujt që sundon. Amerikanët e britanikët kanë bërë e po bëjnë krimet sot në Lindjen e Mesme, e më parë kanë bërë në Amerikë, Vietnam e kudo. Rusët kanë bërë krime kundër popullatave muslimane që ata sunduan në Azinë Qendrore. Grekët i zhdukën çamët. Por edhe muslimanët kanë bërë shumë krime mbi popullatat e krishtera kur ata i sundonin njëherë e një kohë, siç kanë bërë edhe shqiptarët krime mbi minoritetet në Shqipëri por edhe mbi vetë shqiptarët.

 

Historia e njerëzimit është e mbushur me krime dhe fajtorë. Por edhe pse ajo është kështu, shqiptarët sot në Ballkan duhet të luten e përpiqen që të krijojnë paqe me fqinjët e tyre. Pas shkatërrimit të Jugosllavisë, shqiptarët i ndihmoi fati. Perëndimi me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi i shkatërruan shtetet dhe ekonomitë e popujve të ish-bllokut sovjetik, i shkëputën Jugosllavisë edhe shumë provinca e republika - ndër të cilat edhe Kosovën.

 

Por edhe pse Kosova u bë shtet i lirë - siç ëndërronin nacionalistët shqiptarë - jeta e kosovarëve sot nuk është më e mirë sesa në kohën e Jugosllavisë. Ndërsa shqiptarët nuk përbuzen më për shkak të etnisë së tyre nga serbët, ata sot përbuzen dhe diskriminohen sërisht për shkak të fesë së tyre nga lidershipi kosovar. Kosovarët sot nuk po burgosen më për shqiptarizëm, por kësaj here për islamizëm, ku regjimi i sotëm kosovar dhe prezenca imperialiste perëndimore, po mundohen me kulaç e me kërbaç që t'i konvertojnë në laikë, katolikë e protestantë muslimanët shqiptarë. E në anën tjetër, ekonomia e vendit është katastrofë. Vendi është pllakosur nga varfëria, elitat sunduese janë kriminale dhe të korruptuara, dhe jeta e shqiptarëve të Kosovës nuk është më e mirë sesa në kohën e Titos. Përralla që nacionalizmi shqiptar u shiste kosovarëve - që kur ta bënin Kosovën Republikë - gjërat do ishin më mirë, sot ka provuar të jetë një gënjeshtër.

 

Ndërsa në arenën ndërkombëtare, sot Kosova është një shtet aspak shtet. Ajo shihet si një koloni amerikane apo më saktë si një republikë bananesh që sundohet nga një elitë kriminale. Vendi vazhdon të mbetet i izoluar, nuk pranohet në OKB, nuk luan dot as futboll në UEFA, ndërsa emisarët e Beogradit janë zëvendësuar nga emisarët e ambasadës amerikane dhe Bashkimit Evropjan.

 

 

4.

Por edhe pse kosovarët dhe shqiptarët e Shqipërisë sot vuajnë nga skamja, mjerimi, qeveritë e korruptuara, sundimi nga perëndimorët etj, ideologjia e mykur e nacionalizmit shqiptar vazhdon që herë pas here të sulmoj fqinjët e Shqipërisë për inate të një shekulli më parë dhe në këtë mënyrë, mobilizon e shfryn inatet popullore me armiq imagjinar. Elitat që sot sundojnë Kosovën dhe Shqipërinë, e përdorin nacionalizmin për të legjitimuar pushtetin dhe grabitjen që ata i bëjnë shqiptarëve. Duke përdor mite nacionaliste, të cilat shpesh janë tejet agresive, këto elita hutojnë dhe çorodisin qytetarët e tyre dhe i vërsulin ndaj armiqsh që shqiptarëve sot nuk u bëjnë më as dëm e as dobi.

 

Kjo gjë u bë edhe në 14 tetor në Beograd, kur dikush - e ndoshta vëllai i kryeministrit sorosist të Shqipërisë; Olsi Rama - i provokoi serbët me flamurin e Shqipërisë Etnike në stadiumin Partizani. Koncepti që flamuri i Shqipërisë Etnike simbolizon - parashikon prishjen e 4 shteteve në Ballkan - Malit të Zi; Greqisë; Maqedonisë dhe Serbisë. Ky simbol është një provokim i frikshëm për fqinjët e Shqipërisë. Edhe pse ne shqiptarëve, ideologjia jonë nëpër shkolla na mëson Perralla për një Shqipëri Etnike të Madhe iliro-pellazge (e cila nuk ka ekzistuar kurrë - por që në fakt kanë qenë provinca turke), këto mite janë frikësuese për fqinjët tanë, pasi ato perceptohen si kërcënime dhe luftë.

 

5.

Sot, pasi shqiptarët janë bërë me dy shtete në Ballkan - dhe kanë kontroll mbi pothuaj gjysmën e Maqedonisë, ata duhet të nisin dhe të bëhen paqedashës dhe ti shtrijnë dorën për fqinjësi të mirë fqinjëve të tyre në Ballkan. Edhe pse serbët i kanë dhunuar shqiptarët vite më parë, edhe ne duhet ta dimë, që 100 e kusur vite më parë, në kohën e Turqisë edhe ne i kemi dhunuar ata. Por sot këto kohë janë të kaluara, e duhet të harrohen.

 

Sot, shqiptarët duhet të bëhen faktor paqeje dhe harmonie në Ballkan. Dhe fqinjësia e mirë në Ballkan për shqiptarët nis me Serbinë. Ata duhet ti mbyllin plagët e të kaluarës dhe të shohin përpara për një botë më të mirë dhe të sigurtë. Përndryshe, provokimet nacionaliste sikur ai që bënë në Beograd disa rrugaçë shqiptarë dhe brohorimat që qeveria e Edi Ramës dhe Hashim Thaçit i bën këtyre provokatorësh, sjellin vetëm luftëra, gjak dhe lëndime. Dhe lufta, provokimi dhe vrasja janë punë të shejtanit.