Vatikan

Vatikan, mbledhje për Lindjen e Mesme.Papa denoncon trafikun e armëve

Sipas Radio Vatikanit, filloi sot me një takim me Papën në Vatikan, mbledhja e nuncëve apostolikë të Lindjes së Mesme me eprorët e Kuries Romake për të diskutuar mbi krizën, që ka përfshirë krejt rajonin.    Punimet, që po zhvillohen në Bibliotekën e Sekretarisë së Shtetit, do të përfundojnë të shtunën paradite.


Tema qendrore është “Prania e të krishterëve në Lindjen e Mesme”, për të cilën Papa Françesku është thellësisht i shqetësuar. Sipas drejtorit të Sallës së Shtypit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi, Ati i Shenjtë u kërkoi të pranishmëve të luten e të gjejnë zgjidhje për lehtësimin e gjendjes dramatike, në të cilën jetojnë të krishterët e zonës, për shkak të luftrave e të terrorizmit.

 

Papa përmendi trafikun e armëve, bazë për shumë probleme, si edhe dramën humanitare, që përjetojnë njerëzit e detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre.

 

Duke theksuar rëndësinë e lutjes, Ati i Shenjtë uroi të mendohet për nisma në nivele të ndryshme, për t’u shprehur të krishterëve të Lindjes së Mesme solidaritetin e gjithë Kishës, duke përfshirë edhe bashkësinë ndërkombëtare e të gjithë njerëzit vullnetmirë, në mënyrë që të gjenden përgjigje për nevojat e shumta të personave, që vuajnë në atë rajon.