Zyrtari iranian përshëndet bisedimet pozitive saudite
Ministri i Jashtëm i Arabisë Saudite, Princi Saud Al-Faisal zhvilloi bisedime pozitive dhe konstruktive të martën me Zëvendësministrin e Jashtëm të Iranit, Hussein Amir Abdullahian.
Të dy palët diskutuan për zhvillimet më të rëndësishme rajonale dhe ranë dakord që të bashkojnë forcat në luftën kundër grupeve terroriste që kanë kërcënuar sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Takimi me Princin Saud u zhvillua në një atmosferë shumë pozitive dhe konstruktive, tha Abdullahian.
Kjo ishte vizita e parë nga një zyrtar i lartë iranian në Mbretërinë Saudite që nga zgjedhja e presidentit Hassan Rouhani verën e kaluar.
Riza Hamid Dahkani, përfaqësuesi i Iranit në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC), tha se të dy palët diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, zhvillimet në rajon dhe sfidat me të cilat përballet rajoni, si ekstremizmi dhe agresioni i egër i Izraelit në Rripin e Gazës.
Ata diskutuan situatën në Irak dhe mënyrat për t'u përballur me ekstremizmin dhe terrorizmin në veçanti, tha Dahkani, duke iu referuar militantëve të Shtetit Islam (IS).
Muhammed Tajib, drejtori i përgjithshëm i zyrës së Ministrisë së Jashtme të degës në rajonin e Mekkes dhe përfaqësuesi i Mbretërisë tek Organizata e Bashkëpunimit Islamik (OIC), tha se të dy palët diskutuan dhe ambasadori iranian Hussein Sadeghi mori pjesë në bisedimet, të cilat u zhvilluan në Xhiddah.
Arabia Saudite dhe Irani kanë mirëpritur largimin e kryeministrit të Irakut Nuri al-Maliki këtë muaj.
Al-Maliki ka qenë një aleat i ngushtë politik i Iranit, por udhëheqësit e vendit e detyruan të largohet, pasi shumë Sunni e përkrahën revoltën kundër tij.
Ministri i Jashtëm i Iranit, Muhammad Xhevad Zarif vazhdoi vizitën e tij në Irak të martën, duke u takuar me Kryetarin e Kurdistanit Masud Barzani, forcat e të cilit Teherani ka furnizuar me armë në përgjigje kundër përparimeve të militantëve të “Shtetit Islam”