Amerike

Arabia Saudite ia kthen shpinën SHBA-ve

src=http://mediaelire.net/images/obama-abdullah.jpg

Presidenti amerikan Barack Obama po kalon nëpër periudhën më të vështirë nga koha e zgjedhjes për president të SHBA-ve në nëntor të vitit 2008. Vetëm për disa javë administrata amerikane është ballafaquar me disa ndryshime të papritura të cilët do të mund të shkaktojnë ndryshime rrënjësore në skenën politike ndërkombëtare.

            Për të parën është fajtor Edward Snowdeni, i cili me muaj të tërë nëpërmjet gazetave me renome evropiane, po zbulon sjelljen e paperceptueshme të shërbimeve amerikane, të cilët nuk nguren që të spiunojnë edhe aleatët më të afërm të tyre. Guardiani britanez ka botuar që Agjensioni për siguri nacionale (NSA) ka mbikëqyrur 35 liderë shtetëror. Der Spiegeli gjerman ka shokuar opinionin publik gjerman që në mes liderëve shtetëror të mbikëqyrur ka qenë edhe kancelarja gjermane Angela Merkel, telefonin e së cilës e kanë përgjuar më shumë se 10 vite. Le Mondi francez ka shkruar se vetëm për një muaj NSA-ja ka mbledhur shënime për bisedat telefonike dhe korrespodencën elektronike të 70 milion francezëve. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me Spanjën, ashtu që Evropa me të drejtë është duke kërkuar nga SHBA-ja shpjegime shtesë dhe ndërprerje të menjëhershme të këtyre veprimeve mbikëqyrëse.

            Afera e spiunimit do të ndikojë në humbjen e mirëbesimit, dhe do të dëmtojë marrëdhëniet transatlantike, por nuk mund të pritet që fuqitë evropiane do të kthejnë shpinën SHBA-ve. SHBA-ja është aleati kyç i Gjermanisë dhe i Francës me të cilat i kanë interesat e përbashkëta vitale. Pritet që kriza aktuale shumë shpejt do të tejkalohet dhe se Evropa do të heq dorë nga kundërshtimet e spiunimit amerikan.

            Ajo çka është më e rrezikshme për Uashingtonin, është kthimi serioz i Arabisë Saudite, aleatit të tij më të rëndësishëm në botën arabe. Ky është kthimi i dytë për të cilin fajtore është administrata e Obamasë. Edhe pse shumë vetë janë të befasuar me veprimin saudit, nuk mund të thuhet se edhe është i befasishëm. Në Uashington Post ka shkruar gazetari i njohur dh e njohësi i mire i Lindjes së Mesme, David Ignatius, se marrëdhëniet saudito-amerikane ka dy vjet që po përjetojnë krizë, por askush  në Riad e as në Uashington nuk po ndërmarrin  diç për të shpëtuar aleancën. Haptas, kriza eskaloi më 18 tetor 2013, kur Arabia Saudite refuzoi vendin me rotacion në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuar, për të cilin me vite ka lobuar tek bashkësia ndërkombëtare. Asnjë shtet në historinë e Kombeve të Bashkuara nuk ka refuzuar vendin në Këshillin e Sigurimit. Arabia Saudite për here të pare është zgjedhur në këtë shoqëri.

Arsyetimi logjik i këtij veprimi është, pakënaqësia me punën e OKB-së, për të cilin me kohë sauditët i kanë tërhequr vërejtjen. Në shtator të këtij viti ministri saudit i punëve të jashtme Saud al Faisal hoqi dorë nga fjalimi i tij para Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për shkak të “mosveprimit” në Siri, dhe injorimit të çështjes palestineze. Me këtë argumentim zyrtarët saudit kanë provuar  të arsyetojnë tërheqjen e tyre nga Këshilli i Sigurimit. Fjala është për  një veprim jo racional pasi që Riadi nëpërmjet Këshillit të Sigurimit do të kishte mundur të shtyjë zgjidhjet e veta si për Sirinë ashtu edhe për Palestinën.

            Goditja e vërtetë pasoi pas disa ditësh, kur Wall Street Journal publikoi se Arabia Saudite me këtë veprim ka dërguar porosinë Shteteve të Bashkuara e jo Kombeve të Bashkuara. Nuk ishte kjo analizë e WSJ-it, por citati i princit  Bandar bin Sulltan, shef i shërbimit informative saudit, njeriun i cili udhëheq operacionet e armatimit të kryengritësve sirian. Bandar bin Sulltani ka hapur shpirtin diplomatëve evropian, konkretisht ambasadorit francez Betrand Besancenot në Arabinë Saudite, i cili i njoftoi edhe kolegët e vet evropian. Princi  ka thënë se shteti i tij është i gatshëm të ndryshojë marrëdhëniet, të braktis bashkëpunimin me CIA-në dhe të kthehet tek aleatët tjerë si p.sh. me Francën dhe Jordaninë, me qëllim të rrëzimit të regjimit të Assadit në Siri. Është vështir të thuhet se a ka dashtë të tërheq vëmendjen mediatike Bandar bin Sulltani, por fakt është që Riadi pas kësaj nuk ka bërë kurrgjë që të demantojë apo të zbus fjalët e tij. Fjalën e fundit në Arabinë Saudite e ka mbreti Abdullah bin Abdylaziz al Saudi. Zyrtarisht ai nuk e ka kthyer shpinën Amerikës, sipas fjalëve të një diplomati nga Riadi,edhe pse këto fjalë nuk ishin të mbretit, sauditët janë seriozisht të shqetësuar me faktin që Uashingtoni më nuk po ja vu veshin.

            Ekzistojnë disa arsye të ftohjeve të marrëdhënieve saudito-amerikane. i pari dhe kryesori është Siria. Arabia Saudite haptazi i mbështet kryengritësit sirian dhe i ndihmon në rrëzimin e kryetarit sirian Bashar al Assadit. Me këtë dëshiron të ja ndal hovin zgjerimit të influencës së Iranit me të cilin është duke garuar për vendin e liderit rajonal të Lindjes së mesme. Edhe Uashingtoni me plot dëshirë  do të kishte larguar Assadin nga pushteti në Siri, por për ndryshim nga Riadi nuk është i gatshëm që me çdo kusht të armatos kryengritësit , pasi që ka frikë nga grupet ekstremiste të cilët dominojnë në opozitën kryengritëse siriane. Arabinë Saudite posaçërisht e ka goditur vendimi i Obamas që të mos e sulmojë Sirinë, si dhe janë të frustruar me rezistencën heroike të regjimit sirian të Assadit, pasi që tani po shihet qartë se nuk ka gjasa të bie nga pushteti.

 

            Sipas Wall Street Journalit me rastin e përgatitjes së sulmit mbi Sirinë, Arabia Saudite ka kërkuar nga SHBA-të  planin detal të mbrojtjes së krahinës së saj Lindore, qendrës kryesore të burimit të naftës saudite. Froni mbretëror saudit ka qenë i befasuar kur i është thënë se Uashingtoni nuk mund të garantojë mbrojtjen në tërësi të rajonit të sipërpërmendur. Të zhgënjyer me përgjigjen sauditët kanë thënë se janë të hapur me partnerët tjerë mbrojtës, e jo vetëm me SHBA-në, dhe se janë të gatshëm të armatosen edhe prej burimeve tjera, jashtë SHBA-ve.

            Arsyeja e dytë e keqësimit të marrëdhënieve të Uashingtonit dhe Riadit është Irani. Arabisë Saudite nuk i konvenon fare ndërrimi i politikës iraniane dhe iniciative e tyre diplomatike. Kanë frikë nga arritja eventuale e marrëveshjes paqësore në mes Iranit dhe bashkësisë ndërkombëtare lidhur me programin nuklear të Iranit, pas së cilës Irani do të kishte duar më të lira për të vepruar në rajon, pikësëpari në Bahrein dhe Jemen në të cilat i përkrah grupet shiite. Në Riad janë të ofenduar pasi që SHBA-të fare nuk i kanë konsultuar ata lidhur me bisedat diplomatike me Iranin që janë duke u kryer.

            Arsyeja e tretë është Egjipti me të cilin SHBA-ja dhe Arabia Saudite kanë interesa të ndryshme. Monarkia saudite ka qenë e zhgënjyer me Uashingtonin i cili gjatë pranverës arabe shumë shpejt ia ktheu shpinën kryetarit të përmbysur Hysni Mubarakut. Për fat të tyre, në Arabinë Saudite nuk patë protesta masive, do të ishte shtruar pyetja se me të vërtetë a do të ja kishin kthyer shpinën SHBA-të edhe atyre? Arabia Saudite nuk i ka përkrahur Vëllezërit Mysliman dhe ka qenë e kënaqur me grusht shtetin ushtarak të kryer në Egjipt nga gjenerali Sisi. SHBA-të nuk I kanë simpatizuar Vëllezërit Mysliman, por as që janë simpatizant të grusht shteteve ushtarake, ashtu që me rezervë i përkrah ngjarjet aktuale në Egjipt.

            Gazetari i njohur amerikan Fareed Zakaria shkruan se sjellja e Riadit nuk është ajo sipas së cilës duhet vlerësuar politikën e Obamas në Lindjen e Mesme. Së fundi, shkruan Zakaria në Times, se Arabia Saudite zbaton politikën e jashtme më joefikase. Ajo më së shumti është përgjegjëse për ngritjen e ekstremizmit islamik  pasi që më shumë se 40 vite duke u falënderuar petrodollarëve eksporton në botë versionin më ekstrem dhe me dhunë i Islamit.

            Sido që të jetë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk mund vetëm të vëzhgojë kthimin e politikës saudite. Për këtë shkak ishte edhe e arsyeshme ardhja e sekretarit amerikan shtetëror John Kerrit në Riad, në të cilin përveç tjerash ka theksuar se:”Arabia Saudite është aleat shumë  i rëndësishëm për ne”.