Terroristët e ISIL-it shkatërruan Xhaminë e Xhirxhisit në Mosul
Terroristët e ISIL-it kanë hedhur në erë një xhami e cila është ndërtuar në shekullin XIV në Mosul. Banorët vendas kanë thënë, kjo xhami është “viktima” e fundit brenda një jave, ku janë shkatërruar dhjetëra xhami në këtë qytet të Irakut.
Banorët e qytetit Mosul thanë të dielën se Xhamia e Xhirxhisit u shkatërrua me eksploziv nga grupi radikal tekfiristë. Ata folën në mënyrë anonime për agjencinë Associated Press nga frika e hakmarrjes.
Kompleksi i kësaj xhamie është ndërtuar mbi varrezat Kurejsh në Mosul në fund të shekullit 14-të, dhe ka qenë një vend i vizituar shumë.
Grupi terrorist i shkëputur nga Al-Kaida ka pushtuar sipërfaqe të mëdha toke në Irakun perëndimor dhe atë verior, duke përfshirë edhe Mosulin, qyteti i dytë më i madh i Irakut, i cili është pushtuar në muajin qershor 2014.
Grupi ka vendosur një kalifat në territorin e kontrolluar në Irak dhe Siri, duke imponuar interpretimin e tyre të ashpër të ligjit islamik, Sheriatit, që rrjedh nga Vehabizmi, “feja” zyrtare në Arabinë Saudite që është një interpretim shumë i devijuar i Islamit nga autoritetet fetare të Mbretërisë Saudite.
Në mesin e xhamive të shkatërruara në Mosul javën e kaluar janë edhe Xhamitë e Pejgamberëve, si Xhamia e Hazreti Shiitit (a.s.), Xhamia e Hazrei Junusit (a.s.) ku është edhe varri i tij, pejgamberë të njohur në histori, si në Kur’an ashtu edhe në Bibël.
Që nga dita kur terroristët e ISIL-it kanë filluar terrorin në të gjithë Irakun, më shumë se një milion banorë janë larguar nga shtëpitë e tyre, sipas Kombeve të Bashkuara. Shumë nga banorët kanë ikur në rajonin gjysëm-autonom kurd, në Kurdistan, në Irakun e veriut, që ka mbetur relativisht stabil që nga ndërhyrja e udhëhequr nga SHBA në Irak në vitin 2003.