Shqipëri

Imam Genc Plumbi versus muxhahid Lavdrim Muhaxheri: Apo Xhehbet al-Nusra versus ISIS

Një nga hoxhallarët më agresivë në mesin e vehabistëve shqiptarë që ka nxitur urrejtje të madhe kundër shtetit sirian, si pasojë e të cilës shumë shqiptarë përfunduan si terroristë në Siri është edhe imami i vetëshpallur Genc Plumbi që operon në Tiranë. Si një nga propagandistët kryesor të tekfirizmit (dmth shpalljes infidel/ të pafe të muslimanëve të tjerë) në Shqipëri, Plumbi ka përkthyer shumë video, libra, broshura etj nga shkollarët më radikalë vehabistë me të cilat nxitet urrejtje kundër sekteve të tjera të Islamit që nuk ndjekin rrymën arabo-saudite.
Në vitin 2012 kur nisi lufta civile në Libi dhe vehabistët shkatërronin xhami dhe varre të vdekurish, Plumbi e mbushte faqen e tij me video dhe ulërima fetare në përkrahje të xhihadistëve që vandalizonin dhe vrisnin libianët. Këtë gjë ai e vazhdoi me intensitet më të lartë kur nisi lufta në Siri ku edhe ishte shkolluar nga regjimi i Asadit. Duke brohoritur përditë në faqen e tij në facebook për kokat që vehabistët prisnin në Siri, Genc Plumbi kënaqej kur shihte sesi digjej Siria e cila e shkolloi dhe e rriti atë dhe shokë të tjerë të tij. Heroi dhe inspiruesi më i madh i tekfirizmit të Genc Plumbit është Sheh Adnan Arouri, një klerik vehabist i cili ka kërcënuar publikisht alevitët e Sirisë se do u presë duart dhe këmbët dhe do i bëjnë copa copa me makinë dhe do i çoj ushqim për qentë.[i] Falë ndjekjes së verbër ndaj fetvave të Adnan Arourit, i cili ka inspiruar qindra shqiptarë që të shkojnë drejt Sirisë dhe të vrasin alevitë, Genc Plumbi është shpërblyer nga sauditët dhe bërë drejtor ekzekutiv i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë, organizatës ku janë mbledhur shumë klerikë vehabistë që ndjekin fenë Vehabite të regjimit diktatorial të Arabisë Sauditë.

Por megjithë propagandën disa vjeçare për vrasjen e shiitëve dhe alevitëve dhe kërcënimin si shiit të atyre që e kundërshtonin për propagandën e tij luftarake në internet dhe terren, në datë 29 korrik 2014 në profilin e tij në facebook, Genc Plumbi ka denoncuar Lavdrim Muhaxherin,[ii] i cili ka bërë atë që Genc Plumbi brohoret në faqet e tij në internet që në vitin 2012 – dmth vrasjen e shiitëve (të cilët Genci me shokë gjithmonë u vënë nga pas fjalën “të flliqët”.) Plumbi e ka quajtur vehabistin Muhaxherin ”figura anonime pa asnje kontribut ne fe ne trojet shqiptare. Asnjehere nuk kane guxuar te ngrejne zerin kunder “murtedave” ne trojet shqiptare, e jo me te presin kokat e tyre. Keta minj kanalesh tregojne trimeri me femijet dhe njerezit e dobet te Sirise qe eshte plagosur prej halleve dhe fitneve. Kjo nuk eshte gje tjeter veç pune frikacakesh dhe urrejtje ne zemer per muslimanet. Llogaria per keta njerez eshte afer me lejen e Allahut, ashtu sic ka qene edhe per kriminelet e Esedit qe e mendonin veten te paprekshem. Vertete Allahu nuk ndihmon popullin zullumqar.”

Por vetëm tre ditë përpara se Genc Plumbi të dënonte Lavdrim Muhaxherin si frikacak dhe mi kanalesh, në murin e tij në facebook ai kishte postuar një video ku Ushtria e Lirë Siriane dhe Xhehbet al-Nusra torturonin ushtarët e qeverisë siriane e ndoshta më pas i vrasin ata sikur Lavdërim Muhaxheri. Atëherë pse Plumbi denoncon Muhaxherin por brohoret terroristët e tjerë sirianë?

Përpara se Genci Balla, shoku i tij i vjetër të arrestohej dhe burgosej nga qeveria Rama, Genc Plumbi murin e tij në facebook e mbushte me video sikur fotot e Lavdrim Muhaxherit, ku vehabistët therrnin sirianë – ndërsa Genc Plumbi dhe shokët e tij i përshëndesnin me slloganin « Allahu Ekber » dhe luteshin që presidenti sirian Bashar al-Assadi të therrej publikisht sikur Muamar al-Gaddafi në Libi.

 

Atëherë si është puna ? Përse Genc Plumbi ka denoncuar Lavdrim Muhaxherin në murin e tij për një akt të cilin Plumbi dhe vehabistët e tjerë sikur ai e përshëndesin prej vitesh? Përgjigja është e thjeshtë :

- Genc Plumbi i përket krahut të vehabistëve të organizatës al-Haramein dhe “Ringjallja e trashëgimisë islame”. Këto organizata shtetërore saudite dhe kuvajtiane mbështesin grupin terrorist të Xhehbet al-Nusrës në Siri. Ndërsa organizata e ISIS-it apo Shteti Islamik i Irakut dhe i Sirisë lindi nga Xhehbet al-Nusra, regjimi saudit dhe monarkët vehabiste të Gjirit Persik nuk e duan ISIS-in, pasi ai nuk pranon të marrë urdhëra nga Arabia Saudite. Shumë shqiptarë sikur Lavdrim Muhaxheri etj, kur u dërguan në Siri, fillimisht u dërguan që të luftojnë për Xhehbet al-Nusrën, me të cilën vrisnin sirianët e në veçanti alevitët të cilët i akuzonin si agjentë të Iranit. Por kur ISIS e rrëmbeu xhihadin nga kontrolli i spiunazhit saudit, Arabia Saudite urdhëroi duke paguar edhe shuma të mëdha parashë, që hoxhallarët vehabistë në të gjithë botën, dhe në veçanti në Ballkan të sulmojnë ISIS-in dhe shqiptarët që janë pjesë e tij ti shpallin si qafirë – të pafe, dhe mundësisht ti udhëzojnë që të ribashkohen me Xhehbet al-Nusrën.

Për këtë arsye Genc Plumbi quan “mi kanalesh” Lavdrim Muhaxherin por nuk do quaj të këtillë shqiptarët që luftojnë për Xhehbet al-Nusrën apo Ushtrinë e Lirë Siriane. Sikur Genc Plumbi të ishte në Siri apo Irak në këto momente, ai ndoshta do ishte pjesë e reparteve kundërshtare ndaj atyrë që Muhaxhiri bën pjesë dhe do vrisnin njëri tjetrin, duke ulëritur që të dy palët – Allahu Ekber.

- Genc Plumbi dhe hoxhët e tjerë vehabistë që janë rreshtuar e punësuar në Lidhjen e Hoxhallarëve të Shqipërisë i përkasin grupit i cili paguhet nga Arabia Saudite dhe Kuvajti. Këtij grupi i përket edhe rrethi i imam Enis Ramës me kompani në Kosovë.[iii]Këta janë ndarë nga vehabistët që janë “freelance” dhe nuk kontrollohen nga spiunazhi dhe paraja e Arabisë Saudite. Grupi i Plumbi për fetvatë e tij udhëhiqen nga ambasada vehabiste e Arabisë Saudite, Kuvajti dhe “dijetarët” e Arabisë Saudite.

- Genc Plumbi ka qenë shok i ngushtë i imamëve Genci Balla dhe Bujar Hysa dhe ishte në dijeni të xhihadistëve që shkonin në Siri, pasi shumë prej tyre fetvatë për të shkuar e vrarë shiitët i kanë marrë nga grupi i Plumbit. Ndoshta edhe vetë Lavdrim Muhaxheri kur është nisur për në Siri do të ketë parë më parë postimet e Genc Plumbit, librat e botuara nga ai, apo videot e Enis Ramës dhe Ahmet Kalasë e Bekir Halimit që u rrëfenin besimtarëve melaqetë që kanë zbritur në Damask.[iv]

- Por që prej arrestimit të grupit të Ballës, Plumbi me shokët e tij janë distancuar shumë nga Balla me kompani pasi janë frikësuar se ata do të jenë në radhë për t’u arrestuar. Për këtë arsye në deklaratën që Justinian Topulli, kreu i Lidhjes së Hoxhallarëve të Shqipërisë bëri me 64 hoxhallarë në 4 prill 2014,[v] Genc Plumbi është një nga nënshkruesit që distancohet nga Balla. Lënia në baltë që Genc Plumbi dhe kompani i kanë bërë nga Ballës me shokë është pritur keq nga këta të fundit. Në një letër me titull “Deklatate dhe sqarim nga ana fetare i vellezerve te burgosur” që Balla u bëri deklaratës distancuese të Genc Plumbit me shokë në datë 11 prill 2014[vi] ai u thotë

«Kishim shpresuar qe ju te heshtnit e ta mbanit te keqen tuaj brenda vetveteve tuaja, por ju kembengulet qe te keqen tuaj ta nxirrnit ne leter e ta shohe e gjithe bota.»

Genci Balla është ndjerë i tradhëtuar nga grupi i Justinian Topullit dhe Genc Plumbit që tani drejtojnë organizatën Lidhja e Hoxhallarëve të Shqipërisë pasi vite më parë këta ishin të gjithë bashkë, në një mendje për luftë kundër shiitëve dhe për këtë bën edhe një deklaratë të përbashkët ku Genci Balla dhe Genc Plumbi qëndrojnë në një listë.[vii] Lavdrim Muhaxheri me shokët e tij kur kanë shkuar në Kosovë, inspirimin dhe trushpëlarjen nuk e kanë marrë vetëm nga Genc Balla, por edhe nga Genc Plumbi, Ahmet Kalaja, Enis Rama, Bekir Halimi etj.

Kështu që denoncimi që Genc Plumbi i ka bërë besimtarit vehabist, të kthyer në fytprerës në Irak dhe Siri – Lavdrim Muhaxheri – nuk ka të bëj me dallimin teologjik që ekziston ndërmjet Plumbit me shokë dhe Muhaxherit. Ndasia në rastin konkret është se shokët e Genc Plumbit kanë lënë në baltë ata që vetë çuan – apo të paktën indoktrinuan e trushpëlanë – për në Siri dy vite më parë. Ndërsa Plumbi me shokë ka frikë se përfundon në burg sikur Genci Balla, Lavdrim Muhaxheri që është i lirë nën patronazhin e kalifit të trajnuar nga Izraeli, Ebu Bekr al-Bagdadit ka mundësi që të therrë sa më shumë « shiitë të mallkuar », ashtu siç hoxhallarët Genc Plumbi me shokë e mësuan atë vite më parë. Sikur Genc Plumbi në këto momente të ishte në Siri apo Irak, nuk besoj se do të ndryshonte shumë nga Lavdrim Muhaxheri. Edhe ai do të ishte duke prerë fyte dhe falenderuar Allahun që po vret “mallkuesit e sahabëve” dhe “adhuruesit e varreve”. Por meqe Genci P. është në Tiranë, atij i takon që ta shaj si mi dhe frikacak Lavdrim Muhaxherin. Ndërsa Muhaxherin që këta imamë me mësimet e tyre e çuan në Siri dhe Irak që të vrasë shiit, në këto momente ndoshta vetja i duket si një loqe, e thotë : « Eh mor Allah ! Këta munafikët hoxhallarë edhe më thanë shko vrit shiitët edhe tani më shajnë. »

 

REFERENCA

 

[i] The Terrorist Adnan Aroor threatening syrian minorities: https://www.youtube.com/watch?v=h3lhyT3602Y

[ii] Gazeta Express, “Imami Genc Plumbi: Lavdrim Muhaxheri është mi kanalizimesh dhe i dalë nga feja islame”, http://www.gazetaexpress.com/lajme/imami-genc-plumbi-lavdrim-muhaxheri-eshte-mi-kanalizimesh-dhe-i-dale-nga-feja-islame-32943/

[iii] Ja sesi Enis Rama i mwsonte me urrejtje synitet kosovare dhe i trushpelante qe te urrenin alevitet: https://www.youtube.com/watch?v=yDi1f9rDZ7Y

[iv] Video e hoxhe Ahmet Kalase ku shpjegon se si melaqete kane dale ne Siri, nje nxitje e terthorte per t’i derguar te rinjte muslimane qe te luftojne atje, https://www.youtube.com/watch?v=6f_OSA4rYho

[v] Deklarata e hoxhallarëve kundër luftës në Siri, shmangje e përgjegjësisë së tyre për përkrahjen e konfliktit sirian dhe gjendjen e komunitetit: http://www.asabija.com/deklarata-e-hoxhallareve-kunder-luftes-ne-siri-shmangje-e-pergjegjesise-se-tyre-per-perkrahjen-e-konfliktit-sirian-dhe-gjendjen-e-komunitetit/

[vi] Genc Balla me shoke, “Deklatate dhe sqarim nga ana fetare i vellezerve te burgosur.” Ne: http://forumi.kurandhesunet.net/feja-dhe-shoqeria(32)/deklarate-dhe-sqarim-nga-ana-fetare-i-vellezerve-te-burgosur(89970).html

[vii] Shiko ne fund te shkrimit: Deklarata e hoxhallarëve kundër luftës në Siri, shmangje e përgjegjësisë së tyre për përkrahjen e konfliktit sirian dhe gjendjen e komunitetit: http://www.asabija.com/deklarata-e-hoxhallareve-kunder-luftes-ne-siri-shmangje-e-pergjegjesise-se-tyre-per-perkrahjen-e-konfliktit-sirian-dhe-gjendjen-e-komunitetit/

{# Photos as tiles (one photo: full width). Each links to its original, which site.js opens in a full-screen viewer; without the script the link simply opens the image. #}

Burimi: Asabija.com