Lutja për paqen, Papa Françesku, në gjunjë para Zotit me një hebre, një mysliman e një ortodoks
Sipas Radio
Vatikanit, Lutje Zotit që të arrihet paqja në Tokën Shenjte, në
Lindjen e Mesme e në mbarë botën. Lutje Hyjit të paqes, që të sjellë mbi Tokë
paqen, udhën e së cilës njerëzit duket se e kanë humbur prej vitesh. Lutje për
atë paqe, e cila edhe pas sa e sa bisedimesh, tryezash të rrumbullakëta e
ecejakesh të pushtetarëve të kësaj bote, duket se nuk arrin kurrë. Kjo është
lutja e sotme në Kopshtet e Vatikanit, në orën 19.00, ku Papa Françesku, gjatë
udhëtimit në Tokën Shenjte, ftoi presidentin izraelit Shimon Peresh dhe atë
palestinez, Mahmud Abas. Merr pjesë edhe Patriarku Ekumenik i Kostandinopojës,
Bartolomeu I
Luten fillimisht hebrenjtë, pastaj
të krishterët e më pas myslimanët. Të gjithë, në tri pjesët, që përbëjnë
lutjen, fillimisht i thurin lavde Zotit për dhuratën e Krijimit e për faktin se
i ka krijuar njerëzit, anëtarë të një familjeje të vetme. Më pas, në pjesën e
dytë, i kërkohet falje Zotit për të gjitha rastet kur të krishterët, myslimanët
e hebrenjtë nuk janë sjellur si vëllezër e motra me njëri-tjetrin, si edhe i
kërkohet falje Hyjit për mëkatet kundër Tij e kundër të afërmve. Në pjesën e
tretë, lutja që Zoti t’i dhurojë paqen Tokës Shenjte e t’i shndërrojë të gjithë
në ndërtues të paqes. Çdo çast ndahet nga tjetri me një pauzë muzikore, për t’i
lënë pastaj vendin lutjes së Papës Françesku e të dy presidentëve.
Zgjodhëm tri çaste nga kjo lutje e
veçantë në Kopshtet e Vatikanit, në një lëndinë të bleruar, që sheh drejt
Kupolës së Bazilikës së Shën Pjetrit, vend i përshtatshëm për ta ndjerë veten
pranë Hyjit të Gjithpushtetshëm e për ta lënë Shpirtin Shenjt, në ditën e
Rrëshajëve, të prekë zemrat e të pranishmëve, por edhe të të gjithë njerëzve,
që anekënd botës janë bashkuar me këtë grup të vogël, që lutet në Vatikan.
Ja lutja e hebrenjve:
“O Zot, na jep paqen, mirësinë, bekimin, hirin, dashurinë, respektin dhe
mëshirën ne, gjithë popullit të Izraelit dhe gjithë botës. Na beko të gjithëve
me dritën e Fytyrës tënde, o Ati ynë. Sepse me dritën e Fytyrës Tënde, Ti na ke
dhënë o Zot, Hyji ynë, Torah-un e Jetës, dashuri e respekt, ndershmëri e bekime
dhe jetë e paqe. Qoftë vullneti yt që të na bekosh të gjithëve me Paqen Tënde”.
Të krishterët zgjodhën një lutje të
Shën Françeskut të Asizit:
“O Zot, më bëj mjet të Paqes tënde:
Ku ka urrejtje, bëj që unë të çoj Dashurinë.
Ku ka fyerje, të çoj Faljen.
Ku ka mosmarrëveshje, të çoj Bashkimin.
Ku ka dyshime, të çoj Fenë.
Ku ka gabime, të çoj të Vërtetën.
Ku ka dëshpërim, të çoj Shpresën.
Ku ka trishtim, të çoj Gëzimin.
Ku ka errësirë, të çoj Dritën.
O Mësues, bëj që unë të mos kërkoj aq:
Të ngushëllohem, se sa të ngushëlloj.
Të kuptohem, se sa të kuptoj.
Të duhem, se sa të dua.
Sepse
Duke dhënë, merr;
Duke falur, falesh;
Duke vdekur, ringjallesh për Jetën e Amshuar”.
E ja tani, lutja e myslimanëve për paqen:
“Lavdi Zotit të mëshirshëm, të dhembshur, mbret, shenjt, paqësor, besnik,
sovran, i çmuar, i fuqishëm, madhështor, krijues, ideator, formues.
O Zot, Ti je paqe, e paqja vjen prej Teje dhe tek Ti paqja kthehet. Ti je i
bekuar e Ti je i lavdishëm, O Zot i shkëlqimit dhe i nderit, na frymëzo, o Zot,
me paqe e na zbulo paqen e na bëj banorë të mbretërisë së paqes, ndër ata, që
nuk jetojnë me frikë e dhimbje.
O Zot, kërkojmë strehim tek Ti nga padrejtësia e shtypja, nga sulmi i
paligjshëm, e ne të kërkojmë, o Zoti ynë, të na udhëheqësh në udhën e drejtë,
që të mos humbim e të mos biem, duke besuar në Ty e duke e lëshuar veten në
duart e Tua. Na udhëhiq o Zot drejt fjalëve më të përshtatshme, na udhëhiq o
Zot drejt veprave më të përsosura, na udhëhiq o Zot drejt një morali më të
mirë, sepse askush përveç teje nuk mund të na udhëheqë e Ti je i aftë për
gjithë këto gjëra.
O Hyj, na bëj o Zot të prirur për gjithçka është e mirë, kundër gjithçkaje të
keqe, të lutemi të na tregosh gjithçka është e mirë dhe e drejtë. Na dhuro o
Zot siguri, paqe, qetësi dhe fe, për ne e për njerëzit tanë, për familjet tona,
për baballarët e nënat tona, për bijtë e bijat tona, e për të gjithë njerëzimin
e të gjitha kombet, për të gjitha krijesat e krijuara madhërisht prej Teje. Na
dhuro o Zot të mirën, në këtë botë e në tjetrën e na mbro nga mundimet e
flakëve [të Ferrit].
O Zot, na sill paqen në tokën e paqes, o Zoti i shkëlqimit dhe i nderit, zhduke
padrejtësinë nga të shtypurit e kësaj toke, ushqeje popullin tënd, që ka uri, e
mbroje nga frika, mbaje larg nga e keqja e nga ata që bëjnë të këqia, nga
agresorët e padrejtë, o Zot i Botëve”.
Pas këtyre tri etapave të lutjes në Kopshtet e Vatikanit, lutja e Papës Françesku dhe e dy presidentëve, atij izraelit, pra hebre e, atij palestinez, pra, mysliman, ndërsa dielli perëndon e Zotit të gjithpushtetshëm i lartohen nderime e lavdi, me shpresën që Hyji i paqes të dëgjojë lutjen e përgjëruar për paqe në tokën ku lindi, jetoi, vdiq e u ringjall Biri i Tij, për shëlbim të gjithë njerëzimit.