Assad: Marrëdhëniet tona me Iranin ne i diskutojmë vetëm me Iranin
Në një intervistë për televizionin Alem të Iranit, presidenti sirian Bashar al Assad vlerësoi zhvillimet në Siri dhe në rajon.
Sipas raportit të SANA, në pyetjen lidhur me gjendjen në jug të Sirisë, Assas tha se ashtu si edhe në rajonet e tjera të Sirisë, gjendja në rajonin jugor ka dy opcione. Assad tha se opcioni i parë është pajtimi, ndërsa opcioni i dytë i cili shfaqet në rast të refuzimit të pajtimit, është metoda ushtarake.
Duke theksuar se rajoni jugor është një zonë konflikti me Izraelin, Assad tha se atij iu dha një mundësi për t'i dorëzuar armët e forcave të armatosura dhe për t'u kthyer në jetën e tyre normale si para vitit 2011. Assad tha se ata që refuzojnë t’i dorëzojnë armët, mund të transferohen në një rajon tjetër dhe theksoi se ushtria siriane ‘është këmbëngulëse dhe e vendosur për të shpëtuar çdo vend të atdheut nga terrorizmi dhe mbështetësit e tij’.
‘SHBA-JA DËSHIRON H EGJEMONI ABSOLUTE’
Assad vuri në dukje faktin se Rusia po propozon një mundësi kompromisi në rajonin jugor dhe se po bëhen përpjekje në këtë drejtim si dhe shtoi se për shkak të presionit të Izraelit dhe SHBA-së ndaj organizatave terroriste, deri më tani nuk është bërë asnjë përparim në përpjekjet për kompromis. Lidhur me pyetjen nëse zgjidhja në Rajonin Jugor është e kushtueshme dhe lidhur me kërkesën e SHBA-së që Irani të tërhiqet nga Siria si përgjigje ndaj kësaj, Assad tha se qëllimi kryesor i SHBA-së në çdo vend të botës është hegjemonia absolute.
‘MES NESH DHE IRANIT KA MARRËDHËNIE STRATEGJIKE’
Assad tha se lufta e Sirisë dhe humbjet e saj nuk ishin të kota, por qëllimi ishte ruajtja e sovranitetit dhe integritetit kombëtar dhe mbrojtja e nderit dhe vendimeve të pavarura të sirianëve.
Lidhur me kërkesën e SHBA-së për largimin e Iranit nga Siria, Assad tha se ka marrëdhënie strategjike midis Sirisë dhe Iranit dhe se këto marrëdhënie nuk kanë të bëjnë me zgjidhjen në jug, në veri apo në ndonjë rajon tjetër.
‘LARGIMIN E IRANIT NGA SIRIA E KËRKON IZRAELI’
Assad i cili tha se propozimi për largimin e Iranit nga Siria ishte parashtruar nga Izraeli, shtoi se qëllimi ishte vendosja e Iranit në një pozitë të vështirë në një nivel ndërkombëtar dhe presioni më i madh mbi programin bërthamor.
Duke theksuar se Siria do të diskutojë marrëdhëniet e saj me Iranin vetëm me Iranin, Assad theksoi se askush, përveç Sirisë dhe Iranit, nuk mund të vendosë për këtë çështje.
‘SHTETET QË MBËSHTESIN TERRORIZMIN NUK MUND TË PËRFSHIHEN NË PROCESIN E RISTRUKTURIMIT’
Lidhur me pyetjen rreth mundësisë së përfshirjes së një pjese të shteteve që mbështesin terrorizmin në procesin e ristrukturimit në Siri, Assad tha se Siria nuk është e shqetësuar për çështjen e ristrukturimit.
Assad theksoi se faktori më i rëndësishëm në procesin e ristrukturimit është burimi njerëzor, jo burimi financiar. Assad i cili deklaroi se ka filluar procesi i ristrukturimit në Siri, shtoi se sirianët kanë mjetet e nevojshme financiare dhe se mjetet financiare jashtë vendit presin një mundësi për të hyrë në Siri.
Duke deklaruar se edhe shtetet miqësore dhe ato aleate gjithashtu do të kontribuojnë në procesin e ristrukturimit, Assad u shpreh se nuk janë të nevojshme mjetet financiare apo mjetet e tjera të shteteve që mbështesin terrorizmin.
Assad theksoi se pavarësisht të gjithave, shtetet që mbështesin terrorizmin në Siri, nuk do të lejohen të marrin pjesë në procesin e ristrukturimit.
Burimi: Sputnik News