Kosova

Kosova nuk do të jetë shtet vasal

Zëvendës kryeministri i Kosovës Fatmir Limaj ka deklaruar në Prizren se Kosova nuk është vasal i askujt dhe se kryeministrin e qeverisë së Kosovës Ramush Haradinajn mund të largojë vetëm populli i cili e ka zgjedh me vota.

Duke iu përgjigjur kritikave të presidentit të Turqisë Rexhep Tajjip Erdoganit drejtuar Ramush Haradinajt lidhur me vendimin për zëvendësimin e zyrtarëve policor të Kosovës për shkak të arrestimit të gjashtë shtetasve turk të akuzuar për mbështetjen e tyre Lëvizjes Hizmet të Fetullah Gylenit, Fatmir Limaj ka thënë se Kosova dëshiron të ketë marrëdhënie të mira me të gjithë, por ”vasal” nuk do të bëhet e askujt.

“Porosia ime për qeverinë dhe kryeministrin e Kosovës është se ne jemi shtet i pavarur dhe sovran. Askush dhe asgjë nuk mund të kërcënojë përveç popullit të Kosovës. Ai ia ka dhënë mandatin qeverisës kryeministrit, dhe atë nuk mund të  e zëvendësojë, asnjë shtet tjetër, asnjë lider  nuk mundet me na urdhëruar kush duhet të udhëheq qeverinë e Kosovë”, ka thënë Fatmir Limaj, zëvendëskryeministër i Kosovës.

Ai ka theksuar se duhet të jetë qartë Erdoganit i cili ka treguar miqësi ndaj Kosovës. ” Kryeministri e ka zbatuar Kushtetutën e Kosovës, qeveria mban llogari për interesin e shtetit dhe kush do çoftë që përpiqet të prek në interesin e saj do të merr përgjigje të njëjtë”, ka thënë Limaj duke shtuar se Kosova është vend euro perëndimor. Sipas fjalëve të tij, arrestimi dhe depërtimi i shtetasve turk është vepër e agjendës së dyshimtë.” Do të kërkojmë gjer në fund përgjegjësinë, pse ka ndodh, dhe se në vendin tonë për shkak të agjendave personale të cilët nuk paraqesin interesin e Kosovës nuk do të duhej të ndodhte”, ka thënë Limaj.

Erdogani në Stamboll e ka akuzuar Haradinajn se po i mbështet ”terroristët” pasi që e ka zëvendësuar ministrin e punëve të brendshme të Kosovës Flamur Sefaj dhe shefin e shërbimit sekret(AKI) Driton Gashi për shkak të arrestimit të gjashtë shtetasve të Republikës së Turqisë.

Ramush Haradinaj e ka shkarkuar ministrin e punëve të brendshme dhe shefin e shërbimit sekret, pasi që nuk ishte i informuar për arrestimin e gjashtë shtetasve turk të lidhur me Lëvizjen e Fetullah Gylenit i cili në Turqi është i akuzuar për tentim grusht shteti. Lidhur me këtë ngjarje Erdogani e ka qortuar Haradinaj se ai po i mbron ata të cilët tentuan grusht shtetin dhe prej kujt i merr urdhrat,  duke e porositur atë se “shtrenjtë do të paguaj”.

Burimi: Global Cir