Kosova

Kosova hyri në Koalicionin Global kundër ISIS-it

Ministri Hamza gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes është shprehur i lumtur që Kosova ka arritur këtë fazë të zhvillimit që t’i ofrojë mbështetje financiare Koalicionit Global Kundër ISIS-it.

Ministri i Financave i Republikës së Kosovës, Bedri Hamza, në emër të Qeverisë së Republikës së dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Greg Delawie, në emër të Qeverisë së SHBA-ve nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit me të cilin Kosova mbështet financiarisht Koalicionin Global Kundër organizatës terroriste ISIS, transmeton Anadolu Agency (AA).

 “Kosova përmes këtij memorandumi është rreshtuar edhe financiarisht në përkrahje të Koalicionit Global Kundër ISIS-it, dhe do të jetë e gatshme që t’i përgjigjet edhe në forma tjera bashkëpunimit, përfshire rrugëve të ofrimit të ndihmës humanitare, ofrimin e ekspertëve për pastrimin e fushave nga mjetet e rrezikshme, ashtu siç është paraparë me vendimin e Qeverisë së datës 20 tetor 2017″, thuhet në njoftim.

Ministri Hamza gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes është shprehur i lumtur që Kosova ka arritur këtë fazë të zhvillimit që t’i ofrojë mbështetje financiare Koalicionit Global Kundër ISIS-it dhe me këtë është rreshtuar krah shteteve mike që e kanë ndihmuar dhe po e ndihmojnë Kosovën.

Ndërsa, ambasadori amerikan në Kosovë, Delawie ka theksuar se është i kënaqur me faktin që Republika e Kosovës e riafirmoi angazhimin e saj në Koalicionin Global Kundër ISIS-it. Ai shtoi që bashkëpunimi është kyç për luftimin e ekstremizmit.