Lideri shpirtëror Albin Kurti e shpëton përqarjen e VV me një letër nga burgu

Liderin shpirtëror nuk e kanë penguar as grilat dhe qëndrimi brenda qelisë për t’iu drejtuar anëtarëve të këtij këshilli përmes një letre, të cilën e ka lexuar aktivisti Arben Vitia.

Lëvizja Vetëvendosje, ka mbajtur të dielën mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm, ku ka vendosur që zgjedhjet brenda partisë të mbahen në muajin shkurt të vitit të ardhshëm ashtu siç e parasheh edhe statuti i saj. Gjatë kësaj mbledhjeje, është lexuar edhe një letër të cilin e kishte dërguar nga burgu deputeti Albin Kurti. Kurti, në këtë letër ka folur mbi zhvillimet e fundit brenda partisë, derisa në “njëfarë mënyre” ka falur deputeten Aida Dërguti për ofendimin në drejtim të tij.

Lajmin e ka bërë të ditur kryesuesi i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, Hydajet Hyseni pas përfundimit të mbledhjes, e cila ka zgjatur më shumë se katër orë.

“U vendos që të shpallen zgjedhjet për kryetar, obligim ky i cili ka qenë edhe me Statut, pasi Visar Ymerit i përfundon mandati në muajin shkurt”, ka thënë Hyseni.

Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë 133 delegatë të Vetëvendosjes, ndërsa prezent nuk ka qenë as ish-lideri, Albin Kurti dhe Donika Kada-Bujupi, për faktin se këta dy të fundit gjenden në burg.

Por, liderin shpirtëror nuk e kanë penguar as grilat dhe qëndrimi brenda qelisë për t’iu drejtuar anëtarëve të këtij këshilli përmes një letre, të cilën e ka lexuar aktivisti Arben Vitia.