Vazhdimi i dialogut Kosovë Serbi
Presidenti i Kosovës dhe ai serb takohen të enjten më 31.08 në Bruksel. Federika Mogherini, është e bindur se deri në fund të vitit 2019, vendet e Ballkanit do të arrijnë hapa konkretë drejt integrimit në BE.
Presidenti i Kosovës Hashim Thaci dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, takohen këtë të enjte më (31.08) në Bruksel, me ftesë të përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini. Kjo e fundit e konfirmoi takimin që për qëllim ka vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, të filluar tash e gati pesë vjet më parë.
"Mendoj se mundemi që deri në fund të mandatit të Komisionit Evropian 2014 – 2019 të arrijmë qëllimin në kërkim të hapave konkret dhe të rëndësishëm për secilin nga partnerët tanë ballkanikë në rrugën e tyre drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Pavarësisht disa momenteve të vështira gjatë këtij viti, vendet partnere të Ballkanit kanë dëshmuar vullnetin dhe dëshirën për përparime në rrugën drejt BE-së” deklaroi Federika Mogherini në një fjalim të saj para ambasadorëve të vendeve të BE-së.