“Ne do të vazhdojmë edhe pa leje”, nxehet debati për ndërtimin e xhamisë
Zyrtarë nga Bashkësia Islame e Kosovës kanë thënë se Komuna e Prishtinës ende nuk u ka dhënë leje për ndërtimin e xhamisë qendrore në Prishtinë.
Zëdhënësi i BIK-ut, Ahmet Sadriu, ka thënë se tash e gjashtë muaj i kanë dorëzuar të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për leje ndërtimore në Komunën e Prishtinës.
Sadriu ka shpjeguar se fillimisht iu është dhënë një leje paraprake në vitin 2012, kur edhe ishte vendosur gurthemeli i xhamisë, me ceremoni ku kishin marrë pjesë edhe krerët më të lartë shtetërorë.
Sadriu paralajmëron se në rast se nuk do të marrin leje ata do të vazhdojnë punën.
“Ne do të vazhdojmë edhe pa leje. Kryemyftiu, është deklaruar se edhe pa leje do ta fillojmë ndërtimin. Atë që e ka thënë kreu i Bashkësisë Islame ne do t’i qëndrojmë mbrapa”, tha Sadriu.
Sadriu ka thënë se ndërtimi i xhamisë do të financohet nga Bashkësia Islame e Turqisë.
Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, në një postim në Facebook ka shkruar se xhamia në kryeqytet do të ndërtohet.