Partitë deri nesër kanë afat për t’i treguar KQZ’së për koalicionet parazgjedhore
Deri në mesnatën e të martës, partitë politike kanë për obligim të deklarojnë në KQZ koalicionet garuese në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 11 Qershorit.
16 maji është paraparë afati i fundit nga KQZ’ja që partitë politike të deklarojnë koalicionet garuese në zgjedhje, derisa të hënën ka përfunduar afati për deklarimin për mospjesëmarrje eventuale në zgjedhje.
Ndonëse ka mbetur edhe një ditë deri në përfundimin e këtij afati, ende asnjë nga subjektet politik nuk ka zyrtarizuar koalicionet parazgjedhore. Përjashtuar, AAK dhe NISMA, të cilat një marrëveshje të tillë e kanë nënshkruar para më shumë se një viti.
Megjithatë, raportime dhe takime për koalicione të ndryshe parazgjedhore kanë qarkulluar në media, qysh nga shpallja e zgjedhjeve.
Ndërsa, i paqartë mbetet garimi i AKR’së së Behgjet Pacollit në këto zgjedhje. Ende nuk është bërë i ditur qëndrimi final nëse ky subjekt do të garojë vetëm më 11 qershor, apo do t’i bashkohet LDK’së apo VV’së, me të cilat kanë diskutuar bashkëpunim të mundshëm.
Vetë Pacolli, në ‘Komiteti’ të Gazetës Express, ka treguar edhe për përafrim idesh me AAK’në e Ramush Haradinajt.
Ndryshe, kosovarët do t'u drejtohen të dielën e 11 qershorit 2017 kutive të votimit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, pasi ato u shpallën javën e kaluar nga presidenti i vendit Hashim Thaçi, menjëherë pas shkarkimit të Qeverisë "Mustafa" me anë të një mocioni të votuar në Kuvend të iniciuar nga opozita dhe përkrahur nga PDK-ja.