Kosova

Me Hoxhë Bekim Jasharin mburret Kosova për shpresën dhe dritën që ai shpërndan

Kryimami në Bashkësinë Islame të Podujevës, Mr.Teolog. Bekim Jashari kryeson Bashkësinë Islame në Podujevë, një ndër regjionet ku ka numër të madh të xhamive të ndërtuara apo renovuara me financim të organizatave arabe, ndikimi i të cilave pas luftës së vitit 1999 u forcua si asnjëherë më parë.

Por, kush është imami llapjan që ka nxjerrë çështjen e religjionit edhe jashtë xhamive dhe thirrja e tij po kumbon përtej ezanit poshtë dhe lartë minareve.

Në vendin ku fetë nuk kanë ligj, klerikët i kanë dhënë vetes lirinë të përfshihen në politikë, të përzihen në raportet  e shoqërisë, ta përqafojnë ekstremizmin dhe t’u bëjnë thirrje të rinjve të shkojnë të bëjnë xhihad, mijëra kilometra larg shtëpive të tyre. Por një imam nga një xhami e pazakontë për sytë e një besimtari tradicional kosovar po dëshiron të ofrojë një kundërnarrativ. Kush është Bekim Jashari, imami nga Podujeva?

Mund të ketë gjithmonë një kohë më të përshtatshme për të folur më hapur. Ndoshta më shumë për konformistët dhe më pak për idealistët e religjionit. Bekim Jashari ka zgjedhur të flasë tash. Ai është njëri nga ata në grupin e vogël të predikuesve që nuk heziton të përfshihet në debatin publik.

44 vjeçari prej dy vitesh udhëheq portalin “Fol Tash” me idenë për t’u kthyer në një zë për fetarët dhe laikët.

“Nuk mund të mohohet fakti që në Kosovë e sollën një islam ndryshe, një Islam që ka shenjat e qarta të radikalizmit”, thotë ai.

Me këtë ai pretendoi të sjell një alternativë të komunikimit fetar.

Me një xhemat të ri, shumica nën 35 vjeç, që nuk shkon përtej 200 personave në pikun e ritit të së premtes, imami nga Obrangja e Podujevës e ka parë të udhës të vendosë edhe një platformë online.

Për ta bërë këtë më të qasshme për masën e cila është në mjegull sa i përket informacionit që duhet ta konsumojë në aspektin fetar, nisma e tij tashmë është shpërndarë nëpër billborde rrugëve të qyteteve të Kosovës.