Kosova

Burgjet e Kosovës me literaturë islamike të transformuar

Burgjet nëpër të gjithë Kosovën, deri së voni kanë poseduar literaturë problematike dhe jo mjaftueshëm të njohur islame, e cila nuk ka reflektuar islamin tradicional që shekuj me radhë është praktikuar në Kosovë.

Madje, një numër i imamëve ka mbajtur ligjërata nëpër burgje, pa dijeninë e Bashkësisë Islame të Kosovës. Kjo tashmë është ndërprerë, thonë përfaqësuesit e Bashkësisë Islame të Kosovës.

Disa dhjetëra njerëz në Kosovë janë duke vuajtur dënimin për terrorizëm. Institucionet e Kosovës dhe Bashkësia e Islame e Kosovës kanë nisur një bashkëpunimin për të penguar përhapjen e radikalizmit në burgje.

Zyrtarët e Ministrisë së Drejtësisë të Qeverisë së Kosovës thonë se është vërejtur prania e radikalizmit në mesin e të burgosurve, të cilët po mbajnë dënimin për vepra penale krejtësisht tjera.

Gjatë vitit 2016, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 10 aktgjykime ka dënuar 31 persona për terrorizëm, kanë konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, zyrtarët e kësaj gjykate. Vetëm në muajin janar të këtij viti, janë dënuar edhe 7 persona me 18 vjet e gjysmë burg.

Dënime të tilla ka pasur edhe në komunat tjera, ndërkaq që ndër të dënuarit ka pasur edhe imamë. Në Ferizaj, në vitin 2016, është dënuar me 10 vjet burg ish-imami Zeqirja Qazimi, bashkë me të cilin edhe 6 persona tjerë me gjithsej 32 vjet burgim.