Kine

Kina prezantoi gjuajtësin e ri të “padukshëm” J-20

Kina në aero-panairin në Pekin ka prezantuar gjuajtësin e ri të padukshëm të avionit luftarak J-20 si përgjigje ndaj gjuajtësve amerikan F-22 dhe F-35 të cilat Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japonia do të i angazhojnë së shpejti në Pacifik.

Ky avion i ri i ushtrisë kineze, është ndërtuar ashtu që të mund të shmang radarët, për herë të parë e ka kryer fluturimin provues në vitin 2011, por tek tani është prezantuar opinionit të gjerë publik kombëtar e ndërkombëtar. Gjuajtësi i ri ka dy motorë dhe është më i madh se modeli J-31 të cilën Kina e pat prezantuar para dy vitesh.

“Avioni ushtarak J-20 është gjenerata e re e fluturakëve të padukshëm kinez, i projektuar për të plotësuar nevojat kineze për luftërat eventuale të ardhshme”, ka deklaruar zëdhënësi i ushtrisë kineze Shen Jinke.

“Fluturakja do të përmirësoj aftësitë e gjithëmbarshme luftarake të forcave ajrore, që do të ndihmojë në misionin e ushtrisë kineze që të ruajë sovranitetin nacional, sigurinë dhe integritetin territorial”, ka shtuar zëdhënësi kinez.

Megjithatë, sikurse raportojnë mediat amerikane, disa zyrtarë të forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës nuk kanë qenë të impresionuar me raportet për gjuajtësin e ri të padukshëm kinez J-20. “Kur flitet për gjuajtësin amerikan F-35 kundrejt atij kinez J-20, krahasimi në mes tyre është irelevant”, ka thënë gjenerali amerikan David Goldfein para dy muaj për këtë. Më tej ka shtuar se fluturakja amerikane F-35 përfshinë edhe sistemet dhe armatim tjetër, gjersa fluturakja kineze J-20 ka teknologjinë e vet të ngjashëm me gjuajtësin F-117A të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shfrytëzuar kohë më parë.

Forcat ushtarake ajrore amerikane do të angazhojnë avionët e vet gjuajtës F-35 në bazën ajrore Iwakuni në Japoni, përball bregut perëndimor kinez, në fillim të vitit të ardhshëm.