Mihja e thëngjillit dhe ndërtimet e paligjshme
Përmes një konference për media, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka folur për mihjen sipërfaqësore në Minierën e Sibovcit. Aty është ndalur puna pjesërisht në heqjen e djerrinës dhe përgatitjes së mihjes së thëngjillit tash e sa kohë. Kjo për shkak të ndërtimeve të jashtëligjshme në këtë zonë.
Drejtuesi i Komitetit për Energjetikë, Naim Hoxha, tha për mediat se janë duke u shfrytëzuar disa mbetje të pashfrytëzuara më herët në procesin e mihjes së thëngjillit dhe furnizimit të elektranave, e si pasojë po shkaktohen plasaritje që mund të rrezikojnë familje, të cilat jetojnë në këtë rrethinë. Këto ditë anëtarët e Komitetit të Energjitikës të prirë nga inxhinieri Sylejman Krasniqi, e kanë vizituar nga afër zonën dhe e kanë konstatuar gjendjen alarmante.
“Ky proces është dashur të evitohet sepse nga pikëpamje ligjore, qysh prej vitit 2004, në kohën kur ka qenë kryeministër Bajram Rexhepi, është lëshuar një vendim për Zonë të interesit të veçantë ekonomik, e cila ka ndaluar çfarëdo aktiviteti ndërtimor afër, në zonën e përparimit të kësaj mihje. Në vitin 2009 është lëshuar edhe një vendim, në kohën kur Hashim Thaçi ishte kryeministër, duke e forcuar edhe një herë këtë vendim, për këtë zonë të interesit të veçantë ekonomik”, sqaroi Hoxha.
“Derisa për heqjen e djerrinës ka qenë një plan prej 1.100.000 metër kub që është dashur të largohet prej frontit të shfrytëzimit të thëngjillit, ky plan është realizuar vetëm me 46 % të asaj djerrine, pikërisht për shkak të këtyre problemeve”, theksoi Hoxha.
Hoxha tha tutje se përpos problemeve të zakonshme të elektranave, përpos problemeve organizative e të mirëmbajtjes, tash shtohet edhe problem i atyre që duan ta shfrytëzojnë mihjen e KEK-ut për përfitime personale, duke kërkuar kompensime, ndonëse për këto ndërtime qysh para 10 vitesh kishte ndalesë me vendim. Porse, ky vendim nuk është respektuar prej asnjë institucioni.
Duke e quajtur këtë një situatë tragjike, duke ditur rëndësinë që ka kjo zonë për furnizimin me energji elektrike dhe problemet që e karakterizojnë, Hoxha bëri thirrje të ndërmerren masa ndaj këtyre veprimeve të paligjshme duke parandaluar rrezikun e dyfishtë.
Komiteti për Energjitikë