Kosova

Xhamia e Terxhuman Iskenderit (Dragomanit)

Kjo xhami, në fillim si mesxhid u ndërtua në gjysmën e dytë të shek. XVI-të, aty në mes viteve 1550-1570. Ndërtuesi i saj ishte terxhumani, përkthyesi Iskender. Terxhuman Iskenderi për mirëmbajtjen e xhamisë së tij ka lënë vakëfe, dhe atë në shumën prej 40.000 akça të ardhura nga 5 dyqane dhe dy vreshta në fshatin Lubizhdë. Poashtu edhe haxhi Sylejmani ka lënë vakëf për xhaminë e Terxhuman Islenderit shtëpinë e tij për të banuar imami i mesxhidit të Iskenderit[1].

Në vitin 1571 sipas Regjistrimit të përgjithshëm të sanxhakut të Prizrenit si myezin i mesxhidit të Terxhuman Iskenderit në mahallën e Dragomanit ka shërbyer Ahmedi[2].

Edhe Mehmet Tahir efendiu në Kronikën e tij shkruan  për xhaminë dhe ndërtuesin e tij Terxhuman Iskenderit:” I thoshin terxhuman Iskender një personi, që po ashtu kishte ndërtuar një xhami në lindje të qytetit tonë. Dhe disa banorë pas tij i kanë ngritur minaren që bën të dëgjohet zëri i thirrësit”[3].

Xhamia e Terxhuman Iskenderit në popull njihet me emrin e xhamisë së Dragomanit, pasi që gjendet në mahallën e quajtur Dragoman, është rinovuar tërësisht dhe tani është në gjendje të mirë funksionale në të cilin falen me rregull të gjitha namazet.

[1] Т, Катић, Опширни попис Призренског санџака из 1571 године, Београд: Историјск институт,   2010., fq.552

[2] Po aty, fq.52

[3] Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës  në  Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.86