Kosova

Xhamia e haxhi Ramadanit (Qoragës)

Është ndërtuar në gjysmën e dytë të shekullit XVI-të, rreth viteve 1550-1570, për të cilin mesxhid ndërtuesi i saj haxhi Ramadani ka lënë vakëf shumën prej 90.000 akça si dhe vreshta në fshatin Opterushë sipas shënimeve të cekura në regjistrin e sanxhakut të Prizrenit të vitit 1571[1].

Në vitin 1571 sipas regjistrimit të përgjithshëm të sanxhakut të Prizrenit si imam në mesxhidin e haxhi Ramazanit ka shërbyer mulla Ibati[2].

Edhe në Kronikën e tij Mehmet Tahir efendiu shkruan për këtë xhami dhe ndërtuesin e tij, ai cek:” I thoshin Qor aga dhe haxhi Ramadan, ka ndërtuar gjithashtu një xhami në mes të qytetit tonë. Sa herë që kishte nevojë për meremetim, e meremetonin banorët tanë, ajo ka qenë e ruajtur falë kujdesit të qytetarëve tanë”[3].

Në popull njihet me emrin xhamia e Qoragës, pasi që gjendet në mahallën e quajtur Qoraga, para xhamisë gjendet edhe një çeshme(kroi) publik, i cili edhe sot e kësaj dite është aktiv. Viteve nëntëdhjeta të shekullit të kaluar është kryer restaurimi  i tërësishëm i xhamisë ashtu që sot është në gjendje të mirë funksionale dhe në të falen të gjitha namazet ditore(sabahu, dreka, iqindia, akshami dhe jacia), javore (namazi i xhumasë), mujore (namazi i teravive) dhe vjetore (namazi i dy bajrameve).


[1] Т, Катић, Опширни попис Призренског санџака из 1571.године, Београд: Историјски институт, 2010., fq.552,555

[2] Po aty,fq.54

[3] Nehat Krasniqi:”Kronika(Menakib) e Tahir efendiut, burim i rëndësishëm për historinë e kulturës  në  Prizren gjatë periudhës turko-osmane”, Edukata Islame, nr.57, Prishtinë, 1995, fq.88