Ymeri: Nuk e shesim territorin për asgjë, thërret për protestë
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE! Visar Ymeri dhe Nënkryetarja Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, përmes një konference për media shpallën datën e protestës në kundërshtim të ratifikimit të Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi. Protesta do të mbahet me 1 Shtator, në ditën kur kjo marrëveshje do të sjellet në Kuvend për ratifikim.
Gjatë kësaj konference, Visar Ymeri theksoi se Marrëveshja për Demarkacionin është në kundërshtim me rezolutën parlamentare të 25 qershorit të vitit 2015, me vullnetin e banorëve të Rugovës e Dukagjinit, me integritetin territorial të Kosovës dhe me interesin kombëtar të shqiptarëve.
“Ajo marrëveshje ia heq Kosovës bjeshkët e majat, liqenet e lëndinat, burimet e lumenjve dhe pasuritë nëntokësore. Ndoshta ato nuk janë më të bukurat në botë, ndoshta nuk janë më të vlefshmet me para, por për neato bjeshkë e ai territor janë të paçmueshme. Nuk e këmbejmë territorin me asgjë. Nuk e shesim territorin për asgjë”, ka potencuar Ymeri në fjalën e tij.
“Ne sot po e shpallim organizimin tonë për protestë masive në datën 1 Shtator. Ata që duan të miratojnë demarkacionin , do t’i bartin pasojat e asaj që po bëjnë. Ne demarkacionin do ta ndalim me çdo kusht e çdo mjet demokratik”, tha ndër të tjera Visar Ymeri.
Në fund u potencua se Lëvizja VETËVENDOSJE! pret që protesta e 1 Shtatorit të jetë masive, dhe se bashkë më qytetarët, do ta ndalë demarkacionin, si dhe ta heqin këtë klikë tradhëtarësh e të korruptuar nga pushteti.