Xhamia e Suzi Çelebisë (Sozisë)
Është xhamia e dytë në Prizren e ndërtuar në shekullin XVI-të, pas xhamisë së Ahmet Beut, në popull njihet si xhamia e Sozisë. E ka ngritur në vitin 1513 poeti i njohur prizrenas i asaj kohe Suzi Çelebiu, i cili krahas xhamisë ndërtoi edhe mejtepin, bibliotekën( në historinë e bibliotekave të Kosovës njihet si biblioteka e parë e Kosovës), një çeshme dhe një urë në lagjen e Sozisë.
Për xhaminë e Suzi Çelebiut ka shkruar edhe myftiu i Prizrenit Mehmet Tahir efendiu në kronikën e tij, Menakib, në të cilin përveç tjerash cek: ” Edhe i nderuari ynë Suzi ka ndërtuar një xhami të vetme, dhe kjo ka ndodhur pas të nëntëqindave ..... Ajo kishte pjesën e epërme, e pjesa e poshtme ka qenë mekteb, Ymer beu e ka rinovuar dhe i ka ngritur minaren”[i].
Nga këtu mund të kuptojmë se në fillim Suziu ka ndërtuar mesxhidin
( xhamia pa minare, në të cilin nuk faleshin namazet e xhumave dhe bajrameve, ndërsa namazet tjera të rregullta po), ndërsa pas një kohe atë e ka rinovuar Ymer beu duka ja shtuar edhe minaren, pas së cilës janë falur edhe namazet e xhumave dhe bajrameve.
Për mesxhidin e vet Suzi Çelebiu ka lënë vakëfe për mirëmbajtjen e saj, dhe atë një çiftllëk në fshatin Grazhdanik, 1 mulli me 3 gurë, 1 livadh poashtu në Grazhdanik dhe një fshirëse me çekrek[ii].
Suzi Çelebiu u lind në Prizren në mes viteve 1455/65, emri i tij i vërtet ishte Mehmed, emri i babës Mahmut, ndërsa i gjyshit Abdullah. Suzi Çelebiu së bashku me vëllaun e tij Nehariu ishin të njohur si poet me nam gjatë kohës që kanë jetuar dhe vepruar. Ishte njohës i mirë i gjuhës osmane, arabe dhe perse, si dhe njohës i shkencave fetare dhe i tesavufit(misticizmit) islam, përpos që u morr me shkrimin e poezive ka shërbyer edhe si imam në xhaminë e vet. Ka marr pjesë në shumë beteja nën komandën e Gazi Ali bej Mihailogllusë.
Në ushtri ishte akinxhi(kalorës) i shkathtë, e ka shkruar poemën e njohur “Gazavetnamen” të cilin e ka dedikuar komandantit të vet Gazi Alibeut, i cili ndërroi jetë në vitin 1507. Në vitin 1510 u kthye në Prizren dhe aty jetoi e veproi gjer në vdekjen e tij në vitin 1524, dhe u varros në oborrin e xhamisë së vet të ndërtuar. Në vitin 1513 e shkruan Vakëfnamen e tij, në të cilin cek vakëfet që i ka lënë, dhe Vakëfnameja e Suziut llogaritet si vakëfnameja më e vjetër e shkruar e njohur në Prizren[iii].