Bruksel - Mustafa , kemi përmbushur kërkesat , presim liberalizmin e vizave
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, u takua sot në Budapest me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban.
Gjatë takimit, u bisedua për avancimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, për përkrahjen e Hungarisë për Kosovën si dhe çështje tjera të interesit të përbashkët.
Kryeministri Mustafa veçoi rëndësinë e hyrjes në fuqi dhe fillimit të zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit si dhe përmbushjen e kritereve dhe rekomandimeve nga Kosova për liberalizimin e vizave.
“Sa i takon liberalizimit të vizave tashmë kemi përmbushur çdo kërkesë dhe presim që shumë shpejtë institucionet e BE-së të japin rekomandimin pozitiv për lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së. Kosovarët e meritojnë që kjo e drejtë t’iu mundësohet sa më parë, pasi që një gjë e tillë do të ketë impakte pozitive për zhvillimin e gjithëmbarshëm në Kosovë dhe më gjerë”, tha kryeministri.
Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, e ka përgëzuar për progresin duke theksuar përkrahjen e Hungarisë për proceset zhvillimore dhe eurointegruese të Kosovës.
Kryeministri Orban, po ashtu, theksoi vullnetin e Hungarisë për thellimin e bashkëpunimit dhe për të ndihmuar Kosovën në fuqizimin e shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar.
Kryeministri Mustafa kërkoi mbështetjen e mëtejshme të Hungarisë për Kosovën, duke përfshirë anëtarësim në organizatat rajonale e evropiane.