Deri më sot në Kosovë arrestoheshin hoxhallar që ndihmonin terrorizmin tani edhe biznesmen
Fatos Rizvanolli, pronar i biznesit “Rent a car Tosi”, dyshohet se ka kryer transportin e kosovarëve për në Siri si dhe ka mbuluar financiarisht udhëtimet e tyre për t’ju bashkuar grupeve terroriste. Policia kosovare të mërkurën ka arrestuar Fatos Rizvanollin, një biznesmen nga Peja me aktivitet në Prishtinë nën dyshimin për financim të terrorizmit.
Fatos Rizvanolli, i arrestuar nën dyshimin se ka financuar terrorizmin kishte në posedim një xhami private jashtë juridiksionit të BIK’ut. Ai për këtë xhami i paguante qira Islam Selimit, vëllait të deputetit të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi.
Hulumtimi i Gazetës Express, zbuloi në vitin 2013, se në këtë xhami ishte kontraktuar në mënyrë private imami Bedri Robaj që më vonë u kap për terrorizëm, në kohën kur u arrestuan edhe dhjetë kolegë të tjerë të tij por ata nga BIK’u.
Policia e Kosovës ka njoftuar se i dyshuari është arrestuar derisa bizneset dhe pronat e tij në Prishtinë dhe Pejë janë bastisur. Operacioni i nisur në ora 6 të mëngjesit të ditës së sotme ka rezultuar me konfiskimin e një seri provash materiale.
Xhamia pa emër e vetëm me mbi shkrimin “XHAMI”, gjendej në lokalet e Ndërmarrjes Shoqërore (NSh) “Auto-Prishtina” e cila qe më shumë se një dekadë drejtohet nga Islam Selimi, vëllai i deputetit aktual të Partisë Vetëvendosje Rexhep Selimi.
BIK thoshte Xhamia nuk është e tyre, e lajmëruam në MPB
“Ne këtë xhami, ose ti themi më mirë faltore, e kemi vërejtur ka më shumë se një vit. Pasi që nuk është xhamia e jona, as nuk e kemi kontraktuar ne hapësirën dhe as që e kemi caktuar ne imamin, e kemi lajmëruar Ministrinë e Punëve të Brendshme, por tutje nuk dimë se çka kanë bërë”, pati thënë Seijdiu për Express.