Shqipëri

Myftiu i Shkodrës fletë me të rinjtë për ekstremizmin fetarë

Myftiu i Shkodrës, Imam Muhamed B. Sytari, ka marrë pjesë në një takim të organizuar nga Shoqata “Ardhmëria”, dega Shkodër, me të rinj muslimanë të qytetit tonë.

Në thelb të takimit me të rinjtë ka qenë tema e mesatarizmit dhe ekstremizmit në kuptimin dhe praktikimin e fesë dhe modeli i muslimanit në shoqërinë shqiptare.

Gjatë ligjëratës së tij, Myftiu ka folur mbi rëndësinë që ka leximi i ekuilibruar i fesë dhe teksteve të saj, si dhe ruajtja nga interpretimi individual dhe egoistik i teksteve të shenjta, që shpie në devijim ekstrem nga thelbi i fesë.

Myftiu tha se: “në këto 25 vite të fundit, ka plot shembuj dhe raste, kur individë a grupe shoqërore, kanë devijuar tekstet tona fetare, kanë keqinterpretuar e keqprezantuar fenë dhe tekstet e saj, duke krijuar stereotipe me nuancë fetare në realitetet tona. Unë mendoj se mungesa e edukatorëve të mirëfilltë islamë dhe leximet e paekuilibruara të fesë, shkaktojnë sjellje ekstreme në raport me leximin dhe më pas praktikimin e fesë në jetë.”

Gjithashtu tha se: “Tema e ekstremizmit a mesatarizmit, si dy koncepte diametralisht të kundërta me njëra-tjetrën, lidhet në zanafillën e saj me sjelljen dhe prirjen morale e shpirtërore të secilit. Dmth, një individ i edukuar, i ruajtur, i kulturuar, është e vështirë të devijojë në ekstremin e keqpërdorimit të teksteve fetare. Këtë e vërteton edhe realiteti i shumë të rinjve të pashkolluar e të paformuar intelektualisht, që duke u lidhur pas një boshti të caktuar argumentesh dhe faktesh të keqlexuara fetare, nisin dhe e dëshmojnë fenë në aparenca dhe lëvizje, që i bëjnë të dallueshëm nga të tjerët. Të mbyllur, të ngurtë, të ngrysur, të gatshëm për të kundërshtuar, të pamundshëm për të toleruar, të nxituar, me pak fjalë, ekstremisht të paformuar!”

Stereotipet e ekstremizmit fetar, si në hadithin me të cilin e nisa këtë ligjëratë, duhet të trajtohen me kujdes, ndërkohë, të gjithë ne jemi të ftuar ta jetojmë fenë tonë në normalitetin e kuptimit të saj, larg euforisë dhe ndjenjës së madhështisë individuale mbi të tjerët!”/myftinia shkoder/