Eksplozivë në xhamin e Drenasit -300 qytetarë në kërcënim jete
“Nuk e vlerësoj si sulm ndaj meje këtë ngjarje, por ndoshta dikush ka dashur të vrasë rreth 300 qytetarë, e pastaj të më akuzojnë mua se flas kundër ekstremizmit, kundër ipeshkvisë kur bëjnë dallavere, kundër politikës. Ndoshta qëllimi është edhe të më frikësojnë. Kohëve të fundit kam qenë kundër Kishës Katolike në Llapushnik. Për shkak të qëndrimeve të mia kam kërcënime në Facebook edhe me prerje koke. Policia e di që unë jam në shënjestër të njerëzve ekstremistë”, tha Osman Musliu, imam i xhamisë së Drenasit.
Pas faljes së Xhumas, teksa në xhami ishin rreth 500 besimtarë, policia ka marrë një telefonatë që e informonte se në xhami kishte një çantë të dyshimtë. Pas kësaj informate është njoftuar imami Osman Musliu, i cili bashkë me policinë kanë gjetur çantën jashtë xhamisë, pranë këndit ku ai mban ligjeratën e së premtes.
Imami Osman Musliu, i cili shërben në këtë institucion fetar ka thënë se në momentin kur u gjet lënda shpërthyese në xhami kishte edhe fëmijë. Ai është shprehur i tmerruar me situatën e krijuar kur u mor vesh se në oborrin e xhamisë kishte eksplozivë, ndërsa shtoi se kjo vepër ka ardhur nga njerëz profesionistë në të tilla gjëra.
“Zoti na shpëtoi nga ky tmerr, se patëm të vdesim të gjithë burra e fëmijë ..” – Tha Hoxhë Musliu
Imami Osman Musliu, në vitin 2009 është sulmuar fizikisht nga 9 persona në xhaminë e Zabelit të Drenasit, e më pas kishte deklaruar se sulmuesit ishin vehabistë, që kishin synuar marrjen e BIK-ut nën konroll.
* Ndërkaq, për ngjarjen ka reaguar edhe kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj.
“Rasti i raportuar sot në Drenas duhet të hetohet deri në detaje, të zbardhen motivet dhe të dënohen rëndë autorët. Është fatmirësi prej Zotit, që njerëzit kanë shpëtuar nga ky tentim për tragjedi”, ka thënë Haradinaj.