Raporti i “Human Rights Watch”, Kosova kritikohet për të drejtat e njeriut
Bazuar në gjetjet e raportit, edhe në vitin 2015, gazetarët, veçanërisht ata që raportojnë për grupet radikale islamike, përballen me kërcënime, ndërsa procesi i hetimeve dhe ndjekjeve penale, është i ngadalshëm.
Organizata Ndërkombëtare për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch”, ka publikuar një raport në të cilin vlerësohet se Kosova ka shënuar përparim të vogël, ku theksohen probleme dhe vështirësi në zbatimin e programeve dhe projektve për të drejtat e njeriut gjatë vitit 2015.
Sipas raportit, së paku një gazetar hulumtues është detyruar të largohet përkohësisht nga Kosova për shkak të kërcënimeve me vdekje. Ndërsa AGK ka regjistruar 22 ankesa nga gazetarë të kërcënuar, kryesisht përmes rrjeteve sociale.
Në vitin 2009 është krijuar paneli mbikqyrës i të drejtave të njeriut, si organ i pavarur për të vlerësuar pretendimet për shkeljen e të drejtave të njeriut nga stafi i EULEX-it. Nga vlerësimet e këtij paneli, në raport theksohet se në muajin prill EULEX-i ka shkelur Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, pasi ka dështuar së hetuari dëmet që i janë shkaktuar 116 personave të komunitetit rom të zhvendosur në kampet brenda vendit, të kontaminuara me plumb, gjatë dhe si rezultat i konfliktit të vitit 1999.
Ndërsa sa i përket trajtimit të minoriteteve, në raport thuhet se komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian vazhdojnë të përballen me probleme në sigurimin e dokumenteve personale, gjë që ndikon në qasjen e tyre në kujdesin shëndetësor, asistencën sociale dhe edukimin. Sipas raportit, mungesa e vullnetit politik, fondet dhe bashkëpunimi mes autoriteteve qendrore me ato komunale, kanë kontribuar në dështimin për zbatimin e plotë të strategjisë së vitit 2010, për integrimin e komuniteti rom, ashkali dhe egjiptian.
Bazuar në përfundimet e raportit, rritje është shënuar në kthimin e qytetarëve nga Europa Perëndimore në Kosovë, shumica e të cilëve shqiptarë, por edhe romë, ashkali dhe egjiptianë.
Në raportin e “Human Right Watch”, thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, ka regjistruar 7 380 persona të kthyer me detyrim në Kosovë, nga 1 janari deri më 30 shtator 2015. Në mesin e këtyre personave 320 të komunitetit rom, 282 ashkali, 68 egjiptianë. Në mesin e tyre ishin edhe 1 855 fëmijë.