Qeveria po i numëron ditët e fundit , Kosovarët po e marrin në dorë fatin e tyre
Aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën u mblodhën sot bashkë për të kundërshtuar marrëveshjet e dëmshme me Serbinë dhe Malin e Zi, si dhe për të kërkuar llogari nga Qeveria e Kosovës për dëmet që ia ka sjellë Kosovës me këto marrëveshje.
Aktivistja Teutë Rrusta, nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, tha ndër të tjera se kjo Qeveri po i numëron ditët e fundit, sepse qytetarët e Kosovës po e marrin në dorë fatin e tyre. “Demokracia e barazia janë shumë të vlefshme për t’i lënë në dorë të këtij pushteti. Aksioni ynë ua ka hapur sytë të gjithëve. Me aksionet tona, edhe tek qytetarët është kthyer besimi mbi forcën që kanë, mbi potencialin e tyre”, theksoi Rrusta.
Diellza Hoti nga AAK theksoi se është koha që ta refuzojmë idenë që në Kosovë gjithkush mund të bëjë çfarë të dojë. “Tash e sa muaj ne po i kundërshtojmë këto marrëveshje, për shkak se besuam dhe vazhdojmë të besojmë në forcën e argumentit. Kjo u vërtetua edhe nga Gjykata Kushtetuese. Nuk pritet zhvillim në një shtet ku qeveritarët bëjnë padrejtësi në emër të drejtësisë, dhe ku Kushtetuta shkelet nga ata që janë të obliguar ta ruajnë atë”.
Nga Nisma për Kosovën, foli aktivisti Endrit Hoxha. Ai tha se nuk ka kauzë më të madhe sesa kjo për të cilën jemi mbledhur sot. “Ne do ta tregojmë fuqinë, vullnetin, vendosmërinë, dhe mbi të gjitha guximin tonë që ta ndalim të keqen që po i bëhet këtij vendi. Ne do të jemi gardian të fortë të kësaj Republike, dhe do ta ruajmë sovranitetin e vendit tonë pavarësisht presioneve nga të tjerët”, theksoi Hoxha.
Kryetari i Lëvizjes VETËVENDOSJE!, Visar Ymeri, tha se opozita e bashkuar ka arritur ta rritë vullnetin dhe vendosmërinë e qytetarëve karshi një pushteti të padrejtë e të dhunshëm. “Ne kemi thënë më 25 gusht që “Zajednica” e përmbysë rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, duke e përmbysur kështu Republikën e Kosovës. Kemi thënë që Demarkacioni me Malin e Zi ia humbë Kosovës mbi 8.200 hektarë tokë. Pushtetarët thoshin se “Zajednica” është në përputhje me Kushtetutën, dhe se në Demarkacion me Malin e Zi nuk humbim asgjë. Këta insistuan që ta bëjnë gaz Republikën e Kosovës, dhe të na e rrudhin territorin. Ne ua kthyem me gaz lotsjellës për ta mbrojtur Republikën, dhe kështu ua rrodhëm edhe qëndrimin”, tha ndër të tjera Ymeri.
Kryetari i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, tha që tash jemi në një fazë të re, pasi që u dëshmua se qeveritarët shkelën Kushtetutën. “U vërtetua se opozita kishte të drejtë, se “Zajednica” ishte në kundërshtim me Kushtetutën. Kosova nuk mund të qeveriset nga një Qeveri që e ka shkelur Kushtetutën dhe që ka bërë pazare me sovranitetin e shtetin”, tha Limaj, duke i bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të largohen nga pushteti. “Ne jemi sot këtu, e më 9 janar në shesh, për të kërkuar llogari. E llogaria është dorëheqja e Qeverisë”, theksoi Limaj.
Ramush Haradinaj, Kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, theksoi se nuk ka ccka të jep më Kosova. “Dëmet e këtyre marrëveshjeve janë afatgjata për brezat. Prandaj 9 janari është shumë i rëndësishëm. Pushteti me të gjitha instrumentet është munduar ta vertetojë se ne jemi gabim. Por, Gjykata Kushtetuese e dëshmoi të kundërtën. Më 9 janar do t’i japim porosi të qartë Qeverisë se marrëveshjet nuk kalojnë dhe që shkelësit e Kushtetutës duhet të japin llogari”, tha ndër të tjera Haradinaj.
Të gjithë ne, qytetarët e kësaj Republike, e kemi interes jetik jetësimin dhe fuqizimin e kësaj Republike të Kosovës. Prandaj, më 9 janar, në ora 14:00, nga Biblioteka Kombëtare nisë protesta jonë, për shtet me sovranitet, kundër Qeverisë antikushtetuese.