Lejimi i riteve katolike në Xhaminë e Mehmet Fatihut, Myftinia Shkodër: Ministria e Kulturës nxitëse e përçarjes
Kisha Katolike në Shkodër dje ka kryer ceremoni fetare në ambientet e Xhamisë së Mehmet Fatihut në kalanë e Shkodrës. Për këtë akt të paprecedent ka reaguar Myftinia e Shkodrës në faqen e saj zyrtare në Facebook. Sipas këtij reagimi Ministria e Kulturës, e cila ka lejuar këtë veprim është e papërgjegjshme dhe nxitëse e përçarjes.
Ky është shkrimi i plotë i Myftinis Shkodër ne Facebook:
Xhamisë së Mehmet Fatihut në kalanë e Shkodrës, nuk ia ndryshon dot identitetin leja e dhënë nga Ministria e Kulturës për ceremoninë e sotme fetare!
Ne kemi qenë, jemi dhe do të vazhdojmë të promovojmë kulturën e harmonisë ndërfetare, respektimin e lirisë së besimit dhe praktikimin e tij, pa cënuar caqe e kufij, ndjesi e shenjtëri, përtej këtij realiteti, ku dikush shfrytëzon shumëçka në dëm të një domosdoshmërie sociale!
Ata që lejojnë këto veprime, janë të papërgjegjshëm, cinikë dhe nxitës të përçarjes, dëmet e së cilës, vetëm Një Zot e di se ku mund të çojnë!
Njëkohësisht, distancohemi nga kushdo që kalon cakun dhe nxit prishjen e ekuilibrave, në emër të Zotit dhe të fesë!