Kush lindi sot?
Lindi
Mëshira e Gjithësisë-
Mëshira e Njerëzisë.
Në çastet më të errëta të historisë, në Hixhaz, në qytetin Meke t’Arabisë,
lindi Mëshira e Gjithësisë - Mëshira e Njerëzisë.
Kush lindi sot?
Lindi sot krijesa më e dashur
e t’Madhit Zot. Lindi më i madhëruari, më i merituari, lindi më i lavdëruari.
Kush lindi sot?
Lindi ai që e stolisi jetën
tokësore me Frymën Hyjnore. Lindi udhërrëfyesi më i madh jetës njerëzore.
Kush lindi sot?
Lindi i dërguari më i fundit,
por që ishte i pari. Lindi më bujari, më i përkryeri, më i vyeri.
Kush lindi sot?
Lindi më i besuari, më i
çmuari, më i dalluari.
Ai nuk ishte hyjni, ai ishte
njeri.
Ai ishte njeri, sikurse unë e
ti. Ai ishte sikurse ne, por i veçant nga të gjithë njerëzit mbi këtë dhe.
“Ai ishte njeri ndër njerëz
porsi xhevahiri midis gurëve.”
Po, sikur thuhet në një Fjalë
Hyjnore, Hadith Kudsi, që ndritë më shumë se Dielli, po të mos ishte ai, nuk do
të ishte krijuar as Ademi dhe as Toka e Qielli.
Poeti, Busajriu, shprehet
kështu:
“Njerëzit e përgjumur,
Që jetojnë në ëndërra e qetësi,
Si mund ta kuptojnë të Vërtetën e Tij…?”
SHPALLJA HYJNORE
Kush lindi sot?
Lindi sot ai që i Madhi Zot,
që është Krijues, Furnizues, Shpëtues, Burim i Mirësisë, i Bukurisë, i
Madhështisë e zgjodhi shembull të shkëlqyeshmërisë, të përsoshmërisë, vulë e
pejgamberisë.
Kush lindi sot?
Sot lindi ai, që në moshën
40-të vjeçare, në shpellën Hira në “Malin e Dritës” (Xhebel un-Nur), filloi t’i
zbulohet, për krijesat njerëzore, Shpallja Hyjnore.
Kush lindi sot?
Sot lindi ai, që fjalët e
para, që iu zbuluan, kishin të bënin me diturinë -për ta udhëzuar njerëzinë.
Kush lindi sot?
Sot lindi ai që tha: “Kërkoni
diturinë edhe nëse është në Kinë”
Kush lindi sot?
Sot lindi ai që e përjetoi Natën e Miraxhit. Miraxhin ruhani, por edhe
Miraxhin xhismani – Pra,
ngritjen shpirtërore dhe ngritjen trupore. Kjo është rruga që sjellë fitore…
Kush lindi sot?
Sot lindi ai që tërë jetën
meditoi, veproi dhe luftoi. Por, luftërat (përpjekjet) i quajti:
el-xhihad ul-esger dhe el- xhihad ul-ekber, lufta e vogël me armikun, për të
Vërtetën, kurse lufta e madhe me epshin, egon, me vetveten.
Kush lindi sot?
Sot lindi ai i cili tha se më
e vlefshme është penda e dijetarit sesa gjaku i luftëtarit…
Sa të veçanta janë këto
fjalë. Këto fjalë, si edhe shumë fjalë të tjera, kanë diçka nga ajo Dritë, që
ende nuk është zbehë dhe as që ka për t’u zbehë por, që bota shumë pak po e
njeh.
Sot, bota ka shumë nevojë që
zemrën ta zgjerojë. Ta zgjerojë zemrën në masën e kësaj zemre.
Vetëm në masën e kësaj zemre
ne do të kemi jetë. Vetëm kjo jetë është e vërtetë, sepse është jetë e ndriçuar
prej Dritës së Pashuar.
Jeta e ndriçuar prej Dritës
së Pashuar është jetë e vërtetë, është jetë pa mashtrime, pa zhgënjime…
Mjafton që të hedhim një
shikim rreth vetes, rreth botës, për të parë përnjëherë, kudo që jemi, se sa
mashtrime, zhgënjime, dhunime, torturime, krime ka kjo ekzistenca jonë në këtë
botë të kotë, të mjerë dhe të pa vlerë…
Bota, shekull pas shekulli lëviz drejt ndryshimeve. Po, megjithë ndryshimet që
janë bërë, a ka përparuar njerëzimi? A e njohim ne qëllimin e jetës, kuptimin e
ekzistencës sonë, rrugën e së vërtetës?
Vlerësohet se në pesë mijë
vjetët e fundit në botë kishte 14.500 luftëra dhe në këto luftëra të
llojllojshme humbën jetën rreth tre miliardë e gjashtëqind milionë njerëz.
Në luftën e Parë Botërore
(1914-1918) humbën jetën rreth dhjetë milionë njerëz.
Në luftën e Dytë Botërore
(1939-1945) pësuan rreth pesëdhjetë milionë njerëz…Miliona të tjerë pësuan më
vonë-deri në kohën tonë…
Përse e kujtojmë të kaluarën
kaq të përgjakshme?
Sepse, siç thoshte Santayana,
ata që nuk e kujtojnë të kaluarën janë të dënuar ta përsërisin. E kaluara nuk
është ardhmëri, ajo është histori. Histori e cila po përsëritet, herë më
shumë-herë më pak, gjithnjë, me gjak, pothuajse, në çdo brezni. Në çdo brezni
shkruhen histori me përmbajtje zi e më zi…!
E pyetën Shopenhauerin,
ç’është përmbajtja e historisë? Ai u përgjigj: “Shakatë evropiane”.
“Shakatë evropiane” përmes
karikaturave u përpoqën të fyejnë Mëshirën e Gjithësisë-Mëshirën e Njerëzisë.
Pse ndodhi kjo? Sepse askush nuk mund të shoh përtej vetvetes. Secili sheh te
të tjerët, atë që është në vetvete…
Kush lindi sot?
Sot lindi ai që ishte i
paralajmëruar në të gjitha Shpalljet Hyjnore, ai që do t’i sjellë njerëzimit të
Vërtetën Madhështore, Paqën Botërore.
Kush lindi sot?
Sot lindi dëshmuesi,
përgëzuesi, qortuesi, paralajmëruesi…
Sot lindi ai që ishte aq i
vendosur, i përsosur, i përkryer, ai që ishte si një pasqyrë, i cili tha:
“Unë jam si pasqyrë, pasqyroi jo atë që unë dua, por ashtu çfarë
je ti, atë e sheh në mua”
Çfarë je ti? Çfarë jam unë?
Çfarë jemi ne? Kjo ka shumë rëndësi, në veçanti, për ne, në këtë Atdhe! Faik
Bej Konica (1876 - 1942) thoshte:
“Të mos ishte Feja Islame, populli shqiptar do të ishte më tepër në numër, por
jo shqiptar.”
Kur e pyetën M. Xhelal ed-
Din Rumiun (1207 - 1273) kush je ti? Ai tha:
“Unë jam shërbëtor i të Madhërueshmit Kur’an,
Derisa shpirt kam,
Unë jam pluhur nën këmbët e Muhammedit alejhi selam…”
Në Kur’an e Madhëruar, për
këtë lindje të bekuar, kështu është shkruar:
“Vërtetë! All-llahu dhe meleqtë e Tij e bekojnë Pejgamberin. O besimtarë!
Bekojeni dhe përshëndeteni me një përshëndetje të denjë!”
(Kur’an, 33:56)
Ashtu u bëftë!