Shqipëri

Premtimet e mbajtura të një kryeministri sipas vet kryeministrit

height=324Përpos situatës zgjedhore, Kryeministri Edi Rama mori pjesë në prezantimin e projektit për shndërrimin e vilës qeveritare në Sarandë, në ekokampus. Rezidenca qeveritare dhe parku i saj do të kthehen në hapësira komunitare. Ato do të shndërrohen në ekokampus arsimor, sipas konceptit inovativ të shkollave të gjelbra. Ky projekt e kthen vilën qeveritare në një qendër moderne edukimi dhe argëtimi. Ekokampus Saranda përfshin të gjithë ciklin e arsimit parauniversitar, duke filluar me kopshtin, shkollën 9-vjeçare dhe shkollën e mesme. Terrenet sportive, fushat e lojërave me dorë, amfiteatri, parkimi i nëndheshëm, palestrat, pishina, hapësira komunitare, janë elemente të projektit. Një sipërfaqe të konsiderueshme në projektim e zë parku. Risi është përdorimi i paneleve fotovoltaike për prodhimin e energjisë së gjelbër. “Një model cilësor, jo vetëm për arsimin, por edhe për të kuruar një trashëgimi shumë të rënduar urbane”, e cilësoi Kryeministri Rama projektin, duke premtuar se Qeveria do ta vendosë ndërtimin e këtij kampusi në prioritetet e saj në kuadër të projektit “Shkollat e gjelbra”. Ndërtimi i këtij kampusi do të shihet si pjesë e paketës financiare dhe bashkë me ndërhyrje të tjera do të krijojë modele urbanizimi për gjithë bregun e Jonit e cila mbetet për tu parë në kohët në vazhdim.

 

Gjithashtu ai ishte në Korçë, ku inspektoi punimet në parkun “Rinia” dhe në disa kantiere të tjera për rivitalizimin e infrastrukturës dhe zhvillimin e jetës sociale të qytetit. Në parkun “Rinia” po zbatohet projekti për rehabilitimin dhe kthimin e tij në një hapësirë cilësore të jetës qytetare. Aktualisht po mbyllen punimet e ndriçimit të mureve dekorative me tulla xhami, po vendosen stolat përgjatë shëtitores dhe është drejt përfundimit baseni i liqenit në pjesën fundore të parkut. Kjo rilindje e qytetit, që sipas Kryeministrit po jep edhe shenjat e para të ringritjes ekonomike për bizneset familjare, do të shtrihet në gjithë bashkinë e re të Korçës. Kantieret e tjerë të Rilindjes janë stadiumi i tenisit dhe ndërtimi i një tjetër terreni sportiv, të cilët Kryeministri i konsideroi të rëndësishëm për rigjallërimin e jetës sociale të qytetit. “Korça është qytet ku projektet konceptohen mbi një vizion europian dhe realizohen me cilësinë e lartë të ambicies së një komuniteti model në Shqipëri,” tha Kryeministri edhe pse benotizimi i liqenit dhe mungesa e varkave kanë lënë përshtypje të hidhur tek vet turistët.

 

Më pas, Ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj, përuroi pikën e re të qendrës shëndetësore nr. 8/4, në zonën e “Komunës së Parisit” në Tiranë. Kjo pikë e re shëndetësore përfshin shërbimin e kujdesit parësor si dhe kabinetin e “check-up”-it. Ministri Beqaj u angazhua se brenda muajve të verës do të ofrohet edhe shërbimi i pediatrisë, për shkak të nevojës së kësaj zone mjaft të populluar. Në këtë kuadër, të hënën u përurua pika e re e qendrës shëndetësore nr. 4 në Tiranë, e cila u shërben 25 mijë banorëve të zonës së “Don Boskos”. “Jemi të angazhuar për të reformuar radikalisht, sidomos shërbimin e kujdesit parësor. Këtë e bëjmë në radhë të parë me Programin e Kontrollit Mjekësor Bazë pa pagesë, por edhe me disa ndërhyrje që kemi bërë për t’ua lehtësuar sa më tepër mjekëve pjesën burokratike dhe për t’u dhënë më shumë mundësi për t’u marrë me mjekësi e për të qenë më shumë prezentë pranë popullatës së tyre,” u shpreh ministri i Shëndetësisë por harroi të flasë mbi rimbursimin e medikamenteve dhe mungesën e ilaceve në farmaci, sidomos të tetanozit.

 

Premtime boshe të një qeverie boshe e cila fitoi sikurse ka fituar gjithnjë, mbi gënjeshtrën edhe manipulimin e faktit real, specifikuar edhe nga komisjonerët e BE-së pas zgjedhjeve në samitin e Brukselit fill pas zgjedhjeve vendore në Shqipëri.