Monografia mbi legjislacionin zgjedhor në Shqipëri sipas studimeve postzgjedhore
Sipas studimeve postzgjedhore, monografia mbi legjislacionin zgjedhor dhe praktikat e funksionimit të tij në Shqipëri, në vetë tematikën që zgjedh dhe trajton, përbën një gjetje pozitive dhe risi në praktikën e studimeve politike, juridike e zgjedhore në Shqipëri. Duke perdorur me korrektesë studime të mëparshme të fushës, burime ndërkombëtare të referueshme mbi zgjedhjet në Shqipëri, në veçanti raportet dhe vlerësimet e OSBE/ODIHR, Institutit Demokratik Amerikan, IFES, Komisionit te Venecies, arkivën legjislative parlamentare dhe atë të raporteve në KQZ, autori Andon Kume ka arritur të sjellë një tablo mjaft informuese dhe shkencore për procesin legjislativ zgjedhor në Shqipëri dhe zbatimin e produktit të tij-Kodit zgjedhor.
Në studim bëhet një analizë e të gjithë bilancit zgjedhor filluar nga viti 1921, analizohen baza ligjore dhe rezultate zgjedhore, pritshmëritë ndaj zgjedhjeve dhe pasojat që shoqëruan ato, raportet ndërkombëtare mbi to si dhe rekomandimet e ofruara për përmirësime ose ndërhyrje në legjislacionin zgjedhor. Teza e trajtuar në të mbi mungesën e përvojës demokratike në Shqipëri, si një prej faktorëve ndikues në vështirësitë e mëdha të cilat janë reflektuar në mangësitë e standardeve zgjedhore gjatë tranzicionit, - si dhe teza tjetër mbi rolin dominues të vullnetit politik në zbatimin integral ose të pjesshëm të legjislacionit zgjedhor, - janë elementë me gjurmë në gjithë analizën historike dhe aktuale mbi zgjedhjet, legjislacionin dhe problematikat e tyre.
Në analizën mbi elementët thelbësorë të administrimit zgjedhor, siç është roli dhe përbërja e KQZ, e administratës së mesme dhe më të vogël zgjedhore, apo e strukturave gjyqësore të përfshirja në procesin e dhënies së legjitimitetit mbi produktin zgjedhor, autori ndalet në detaje të shumta, shumica teknike, por me ndikim në ecurinë dhe standardet zgjedhore. Të dhëna të tilla, si ndryshimet në Kodin Zgjedhor 2000, 2001, 2003, 2004, 2005, 2007, 2008, 2012, etj, pra pothuajse në çdo 1-2 vjet, janë dëshmi e mungesës së stabilitetit në aplikimin dhe funksionimin e sistemeve zgjedhore dhe sidomos edhe të administratës zgjedhore.
Lidhur me konkluzionet dhe rekomandimet autori nxjerr në pah dominimin e vullnetit politik mbi kulturën e standardeve zgjedhore, zgjidhjet e “minutës së fundit” për të gjitha reformat zgjedhore duke krijuar më pas vështirësi në njohjen dhe zbatimin në kohë e cilësi të ndryshimeve të radhës, zëvendësimin e kompromiseve parlamentare nga marrëveshje politike jashtë parlamentare dhe detyrimin e trupës zgjedhore administruese për t’iu nënshtruar këtyre marrëveshjeve. Kume vlerëson si tipar të dytë kritik faktin se palët politike, në jetësimin e vullnetit dhe interesave të tyre politike, shpeshherë kanë arritur kompromise dhe kanë bërë ndërhyrje në legjislacionin zgjedhor në kundërshtim edhe më frymën ose parimet kushtetuese, siç janë rastet e kompozimit të KQZ, rolin e ekstra-ligjor të Kolegjit Zgjedhor, etj. Element i tretë është injorimi shpeshherë edhe i parimeve zgjedhore të deklaruara nga angazhimet ndërkombëtare të Shqipërisë, detyrimi për ndërhyrje të Gjykatës Kushtetuese në procese zgjedhore, dominimi partiak i procesit, si dhe produkti final, vonesa e madhe në procesin politik dhe institucional të përmbylljes së fazës së tranzicionit politik.