Amerike

“SHBA-ja provokon luftën me Rusinë”

Ish senatori amerikan dhe kandidati për kryetar amerikan, por edhe kritiku i shquar i politikës së jashtme amerikane, Ron Pauli ka komentuar tensionet aktuale në mes SHBA-ve dhe Rusisë, duke theksuar se është i shqetësuar se eskalimi i mëtejmë do të mund të përfundojë me konfliktin e drejtpërdrejtë në mes dy fuqive ushtarake.

 

“SHBA-ja provokon luftën vdekjeprurëse kundër Rusisë e cila do të mund të përfundojë me shkatërrimin total të të dy vendeve”, theksoi Ron Pauli në kolumnen e tij të botuar gjatë kësaj jave në faqet e Ron Paul Institutit.

 

Arsyeja e reagimit të tij ishte rezoluta e re e miratuar nga ana e Kongresit Amerikan në të cilin ashpër dënohet Rusia për shkak të “agresionit politik, ekonomik dhe ushtarak kundër Ukrainës, Gjeorgjisë dhe Moldavisë, si dhe shkeljes së sovranitetit, pavarësisë dhe integritetit territorial të këtyre vendeve”.

 

Rezolutën nr. 758 Ron Pauli e ka quajtur” njërin nga dokumentet më të këqija, aprovuar ndonjëherë nga Kongresi”. Në këtë vështrim thekson:

 

“Në të vërtetë, kjo rezolutë në 16 faqe është propagandë e pastër luftarake për të cilën edhe neokonservatorët do të duhej të turpërohen, po të ishin të aftë për diç të tillë”.

 

Një ditë më vonë ka dhënë intervistë për kanalin televiziv rus RT duke theksuar se kjo rezolutë është ” pjesë e makinerisë propaganduese luftarake”. “Kjo është e tmerrshme, kjo është një rezolutë shumë provokative”, ka theksuar Ron Pauli. Ron Pauli i cili edhe tani ka një numër të madh të ndjekësve në SHBA, një kohë të gjatë, me dekada,  thekson se SHBA-ja nuk do të duhej të përzihej në punët e brendshme të shteteve tjera. Ka gjykuar të gjitha depërtimet ushtarake amerikane si dhe veprimet me qëllim të destabilizimit të vendeve të caktuara. Ishte kritik edhe ndaj përfshirjes amerikane në ngjarjet në Ukrainë.

 

Në shumë raste ka komentuar edhe luftën në Siri duke theksuar se fuqitë perëndimore janë fajtor për rritjen e ekstremizmit për shkak të mbështetjes që i kanë dhënë militantëve islamik në luftë kundër Damaskut. Djali i tij, senatori Rand Paul, vazhdon të jetë zëdhënës i politikës së njëjtë dhe se do të mund të ishte kandidat serioz për kryetarin e SHBA-ve në zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në vitin 2016.