Përfundon Forumi III katoliko - mysliman. Myftiu Tërnava: feja islame është kundër dhunës.
Sipas Radio Vatikanit, kanë përfunduar punimet e Forumit III katoliko - mysliman organizuar në Vatikan nga Këshilli Papnor për Dialogun Ndërfetar mbi temën:
“Të punojmë së bashku për t’u shërbyer të tjerëve”.
Në punime morën pjesë Presidenti i Këshillit Papnor për dialogun ndërfetar, kardinali Jean-Louis Tauran, sekretari i këtij organizmi. Nga ana myslimane mori pjesë Princi i Jordanisë Ghazi bin Muhammed, përfaqësues të Vende të ndryshme nga Indonezia, Afrika e Veriut, Amerika e Veriut dhe Evropa, përfaqësuar nga kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava.
Forumi I u zhvillua tetë vjet pas Letrës së 138 personaliteteve intelektuale
myslimane drejtuar Papës Benediktit XVI, pas ligjëratës së mirënjohur “letio
magistralis” mbajtur më 12 shtator 2006, në Universitetin e Regensburgut mbi
raportin ndërmjet fesë e arsyes. Papa Benedikti XVI me atë rast na nxiti të
kemi guximin e hapjes sonë ndaj gjerësisë së arsyes e të mendimit
për të realizuar një dialog të vërtetë të kulturave e feve, një dialog –
pati pohuar Papa Ratzinger – për të cilin kemi nevojë urgjente.
Forumi I i dialogut katoliko-mysliman u mbajt në Romë nga 4 deri 6 nëntor
2008 mbi temën “Dashuria e Zotit, dashuria e të fërmit”.
Forumi
II mbajtur në nëntor të vitit 2011, në Jordani, pati për argument
reflektimet: “Arsyen, fenë e qenien njerëzore”.
Ndërkaq më 18 e 19 nëntor, KAICIID (Qendra Ndërkombëtare e mbretit Abdullah Bin
Abdulaziz për dialogun ndërfetar e ndërkulturor) organizon në Vjenë të Austrisë
një dialog të nivelit të lartë ndërmjet përfaqësuesve fetar, gjatë të cilit do
të bisedohet mbi temën “ Liderët fetarë kundër dhunës në emër të fesë”.
E pikërisht rreth kësaj teme flet edhe myftiu i Kosovës Naim Tërnava në intervistën
me dom David Gjugjën në studio të Radio Vatikanit. Feja e ushtrimi dhunës
në emër të fesë; prania e radikalëve fetarë ndër shqiptarë; marrëdhëniet
ndërmjet Bashkësive Islame të Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë e të Malit të Zi;
marrëdhëniet ndërmjet Bashkësisë Islame e Kishës katolike në Kosovë, vlera e
përmasës shpirtërore në shoqërinë e sotme.
Sipas Bashkësisë Islame të Kosëvës, Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava i cili po merr pjesë në Forumin e tretë të dialogut ndërfetar Katoliko -Mysliman, që po mbahet në Vatikan, sot paradite së bashku me pjesëmarrësit e Forumit, është pritur në audiencë nga Papa Françesku.
Papa Fançesku në fjalën e tij përshëndetëse u shprehu mirëseardhje përfaqësuesve mysliman në forum, si dhe i falënderoi ata për kontributin që po japin në ndërtimin e paqes, homonisë, bashkëjetesës e tolerancës mes popujve dhe feve. Papa, në veçanti çmoi lartë kontributin e prijësve mysliman që po japin në këtë forum të përbashkët i cili ka për diskutim temën , Të punojmë së bashku për tu shërbyer të tjerëve.
Myftiu i Kosovës, Naim ef. Tërnava në fjalën e tij falënderoi Papën për
kontributin dhe kujdesin e Papës dhe Vatikanit për Kosovën. Myftiu i potencoi
Papës nderin që i ka bërë kombit shqiptar me rastin e vizitës së tij në
Shqipëri. Me këtë rast Myftiu Tërnava, Papës i dhuroi Monografinë e
xhamive të shkatërruara gjatë luftës së fundit në Kosovë.