Papa përsërit thirrjen për paqe në Tokën Shenjte
Sipas Radio Vatikanit, Fjala e Zotit është farë, që duhet pranuar e duhet jetuar: Papa Françesku, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, u ndalua tek shëmbëlltyra e bujkut, duke nënvizuar sa rëndësi ka ta pranosh e ta jetosh mesazhin e Krishtit i cili, nënvizoi, flet me një gjuhë të kuptueshme për të gjithë, me figura të marra nga natyra e nga ndodhitë e jetës së përditshme. Më pas, ajo, që Papa e quajti ‘thirrje e ngutshme’ për Lindjen e Mesme. E, në përshëndetjet, përkujtimi i së dielës kushtuar Detit dhe 400-vjetori i vdekjes së Shën Kamilit de Lelis, që do të kremtohet nesër.
Në dritën e ngjarjeve tragjike të
ditëve të fundit, Papa Françesku u kërkoi të gjithëve ta vijojnë me ngulm
lutjen për paqe në Tokën Shenjte. E kam ende të gjallë në kujtesë takimin e 8
qershorit të kaluar me Patriarkun Bartolomeu, Presidentin Peres e Presidentin
Abbas, pohoi Françesku, për të nënvizuar, më pas:
“Kujtuam lutjen për dhuratën e paqes
e dëgjuam thirrjen për ta copëtuar qerthullin e urrejtjes e të dhunës. Ndokush
mund të mendojë se ky takim ishte i kotë. Por nuk është ashtu, sepse lutja na
ndihmon ta mundim të keqen, të mos dorëzohemi para dhunës e urrejtjes, të mos i
lëmë të fitojnë epërsi mbi dialogun e pajtimin”.
Prej këndej, nxitja:
“I nxis palët e interesuara dhe të gjithë ata, që kanë përgjegjësi politike në
nivel kombëtar e ndërkombëtar, të mos i kursejnë lutjet e as përpjekjet për t’i
dhënë fund armiqësisë e për të siguruar paqen, aq të dëshiruar për të mirën e
të gjithëve. E i ftoj të gjithë të bashkohen në lutje”.
Lutje që Papa ia drejtoi i pari
Zotit nga Sheshi i mbushur plot me njerëz, të cilët i bashkuan me gjithë zemër
zërat, me zërin e Françeskut, duke lartuar drejt qiellit plot dritë-hije të
kësaj dite me reshje korriku, lutjen e përgjëruar për Tokën e Jezusit:
“Tani, o Zot, ndihmona Ti! Na e jep paqen, na e mëso Ti paqen, na prij Ti kah
paqja! Na i hap sy e zemra e na jep guximin të themi: ‘Kurrë më luftë!’; ‘me
luftë gjithçka kthehet në gërmadhë!’. Në shpirtin tonë na falë guximin të bëjmë
gjeste, që e ndërtojnë paqen…Bëj ta dëgjojmë britmën e qytetarëve tanë, që
kërkojnë t’i kthejmë armët në mjete paqeje, frikën në besim, tensionet në
falje”.
Para thirrjes, reflektimi i Françeskut për shëmbëlltyrën e bujkut. Jezusi flet për një farë, që prodhon pak a shumë fryt, sipas tokës, ku bie. E Papa nënvizon ç’na mëson sot kjo shëmbëlltyrë:
“Kjo shëmbëlltyrë i flet edhe sot secilit nga ne, ashtu si u fliste Jezusi njerëzve dymijë vjet më parë. Na kujton se jemi trualli, ku Zoti hedh pa u lodhur kurrë farën e Fjalës së Tij e të dashurisë së Tij. Po ne, si e presim? Si është zemra jonë? Cilit truall i përngjet? Udhës, gurishtes apo shkurres. Varet nga ne të bëhemi truall i mirë, pa gjemba e pa gurishte, i punuar kujdesshëm, që të prodhojë fryte për ne e për vëllezërit tanë”...