Sa’diu tek shqiptarët dhe në Kombet e Bashkuara!

Publikuar në Tet. 21, 2018, 12:01 p.m.

Sa’diu ka depërtuar edhe tek shqiptarët, në veçanti tek myderrizët, hoxhallarët, hafizët, shejhlerët, dervishët, ashikët...

Sipas studiuesit pers, Shahrouz Falahatpisheh, në Arkivin e Shtetit Shqiptar në Tiranë gjenden 6 dorëshkrime të “Gjylistanit dhe Bostanit”. Ekzistenca e këtyre dorëshkrimeve persiane të mendimtarit të madh pers në Shqipëri tregon depërtimin dhe shtrirjen e madhe të Sa’diut gjatë shekujve të shkuar nga njëra anë, si dhe interesimin e qarqeve studiuese, letrare, poetike dhe kulturore shqiptare për kryeveprat botërore dhe veçanërisht ato perse.

Poeti, shkrimtari, atdhetari, dijetari, Hafiz Ali Korça (1873-1956) e përktheu dhe e botoi shqip Gjylistanin në Tiranë (1925), kurse pena e hollë e Vexhi Buharasë (1920-1987) e përktheu dhe u botue më 1960, në Tiranë. “Gjylistani dhe Bostani”, që tingëllon aq bukur në shqip, përmban mbi 4000 vargje të rimuara, me dukje të thjeshtë e të kuptueshme, por elegante, me vlera njohëse dhe edukuese, ku bie në sy shpirti humanist i poetit, kujdesi për njeriun e thjeshtë, synimi fisnik për ta mbrojtur atë nga e keqja.

Poeti persian Sa’adiu, shkroi një poezi tetë shekuj më parë që më vonë u bë një moto në hyrjen e ndërtesës së Kombeve të Bashkuara në New York .

Saadi, manifestohet në mënyrë elokuente:

Vargjet e Sa’diut të shkruara –

në Pallatin e Kombeve të Bashkuara

Në gusht të vitit 2005, mjeshtri i shquar iranian, Muhamed Sirfijani, që njihet ndryshe edhe si mjeshtri i endjes së qilimave dhe sixhadeve, ka endur një qilim të bukur me sipërfaqe 25 m2 dhe në mes të tij me shkronja të arta ka shkruar thënien e njohur të tij:

“Bijtë e Ademit janë prej njëri-tjetrit - Të gjithë kemi një prejardhje”.

   Ky qilim ndodhet në një prej ambienteve të OKB në Nju Jork.                    

Kurse, në hyrje të Sallës së Kombeve, të ndërtesës së Kombeve të Bashkuara, në Nju Jork, janë të shkruara këto vargje të Shejh Sa’diut:

“Si pjesë e tërësisë të gjithë njerëzit janë

Trupin e shpirtin nga një brum e kanë.
Nëse dikush goditet me fatkeqësi
As të tjerët s'do të kenë rehati.
Nëse për fatkeqësi njerëzore s'ke dhembshuri
Atëherë nuk mund ta mbani emrin njeri.”

Për atë që kupton –  kaq mjafton!