Rusia: SHBA-ja, Britania dhe Franca po përgatiten të sulmojnë përsëri Sirinë

Publikuar në Gus. 27, 2018, 7:29 p.m.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë njoftoi se SHBA-ja, Britania dhe Franca po përgatiten të godasin përsëri Sirinë. Duke deklaruar se militantët e trajnuar nën udhëheqjen e një kompanie të posaçme ushtarake britanike tashmë ndodhen në Idlib, Rusia theksoi se Siria do të akuzohet përsëri përmes një provokimi të sulmit kimik.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë akuzoi Shtetet e Bashkuara, Britaninë dhe Francën për përgatitjet për të sulmuar përsëri Sirinë  me arsyetimin për përdorim të armëve kimike nga qeveria e Sirisë.

Zëdhënësi i Ministrisë, Igor Konashenkov tha se edhe militantët në Idlib janë të gatshëm të akuzojnë qeverinë për “përdorim të armëve kimike” ndaj civilëve, duke shtuar se: “Për të organizuar ‘sulm kimik’ në Jisr al-Shughur të Idlibit, militantët e Tahrir al Sham (al Nusra) vendosën 8 tanke të mbushura me klor në një fshat vetëm disa kilometra larg nga Jisr al Shuguri.”

Konashenkov njoftoi se militantët e trajnuar nën udhëheqjen e kompanisë së posaçme ushtarake britanike Olive, për të përdorur substanca helmuese, kanë arritur në Idlib: “Militantëve i’u dha detyra që të veshin rrobat e Helmetave të Bardha dhe të shtiren sikur po i ndihmojnë viktimat e sulmeve kimike.”

Konashenkov njoftoi se SHBA-ja ka vendosur shkatërruesin USS The Sullivans në Gjirin Persik dhe aeroplanin e luftës B-1B në një bazë ushtarake në Katar, duke paralajmëruar se ata janë të gatshëm për të goditur përsëri Sirinë: “Ky provokim, në të cilin forcat speciale britanike kanë një rol aktiv, do të përdoret si një pretekst tjetër për sulmin me raketa të SHBA-së, Britanisë dhe Francës ndaj qeverisë siriane dhe objekteve ekonomike.”

Duke rikujtuar deklaratat e pabaza të SHBA-së, Britanisë dhe Francës se nëse qeveria siriane organizon sulm kimik, ata do të reagojnë ndaj kësaj, Konashenkov theksoi se e gjithë kjo është pjesë e përgatitjes për sulmin.

KOSAÇEV: KËTË GJË DUHET T’A KUPTOJ EDHE NJË NJERI I ZAKONSHËM

Ndërkohë, në një deklaratë të dhënë për Sputnik, kryetari i Komitetit Ndërkombëtar të Këshillit të Federatës Ruse, Konstantin Kosaçev tha se një provokim i ri në Siri do të çonte në dëmtimin e sigurisë ndërkombëtare dhe të institucioneve ligjore: “Me sa duket, po bëhen përgatitje për një provokim të ri. Veprimet e amerikanëve në botë janë aq tipike saqë edhe një person i zakonshëm duhet të kuptojë menjëherë se cili është qëllimi dhe skenari i tyre.”



Burimi : Sputnik News