Pjestarët serb të FSK nën presion dhe kërcënim të Serbisë

Publikuar në Korrik 4, 2018, 9:47 a.m.

Presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë shpeshtuar në muajt e fundit, fillimisht me paraburgimet në vendkalimet kufitare me Serbinë, e më pas edhe me deklaratat e autoriteteve serbe se atyre iu kërcënohet dënimi deri me 10 vjet, për shkak të pjesëmarrjes në formacionet e huaja të armatosura.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës e kanë dënuar presionin e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK), të cilët kanë nisur të parashtrojnë kërkesat për dalje nga kjo forcë.

Pjestarët serbë të Forcave të Sigurisë së Kosovës kanë parashtruar kërkesat për dalje nga kjo forcë,  ndërkohë që lidhur me këto kërkesa, Ministria e Forcave të Sigurisë së Kosovës do të vendosë në gjashtë muajt e ardhshëm.

Zëvendësministri i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë se presionet e Serbisë ndaj pjesëtarëve serbë të FSK-së janë duke u rritur, veçanërisht nga muaji mars i këtij viti dhe kjo ka shkaktuar panik tek disa individë.

“Është krejtësisht e qartë se kërkesa për largim lidhet në formë të drejtpërdrejtë me presion e vazhdueshëm ndaj tyre dhe familjarëve të tyre, që kanë ndodhë sidomos gjatë këtyre muajve të fundit. Po flasim për pjesëtarët e FSK-së, të cilët kanë shërbyer për sigurinë e komunitetit të vet dhe për FSK-në, për vite të tëra. Është fatkeqësi veprimi i Serbisë ndaj serbëve të Kosovës dhe është krejtësisht e papranueshme kjo logjikë vullgare e reagimit”, tha Ramadani.