Madhështia e Krijimit në Kur’anin Famëlartë

nga Dr. Golam Ali Haddad Adel | Publikuar në Qershor 3, 2018, 3:38 a.m.

Toka, Qielli, Deti

Dymbëdhjetë ajete të sures Jasin duke filluar nga ajeti 33 deri në ajetin 44, janë ndarë në tre pjesë me nga katër ajete, ku secila pjesë fillon me shprehjen “وَآيَةٌ لَّهُمُ”, dhe përcakton një peizash prej natyrës, që në fakt është një pasqyrim i mëshirës dhe urtësisë së Tij.

Këto ajete përshkruajnë shenjat e Zotit të Madhëruar. Kur’ani gjithnjë na thotë që nëse jeni në kërkim të Zotit dhe dëshironi që ta njihni Atë dhe të besoni në Krijuesin, hidhini një sy natyrës, logjikoni, pra meditoni rreth trupit dhe shpirtit tuaj, hulumtoni rreth shoqërisë dhe historisë, kudo që të vëreni rend, ligj, përpikmëri dhe ndonjë normë, dijeni që ai rregull dhe ligj është nga Zoti. Kur’ani na thotë që për ta gjetur Zotin nuk duhet shkuar pas çështjeve imagjinare, misterioze dhe larg arsyes. Po! Këto gjëra që i vëreni në jetën e përditshme si p.sh.uji, retë, era, shiu, pema, malet, pylli, hëna, dielli, kali, mushka, anija dhe deti, secila nga këto me një gjuhë të qartë iu informojnë rreth një demiurgu, i cili i ka krijuar ato dhe në secilën prej tyre ka vendosur rregullsi të sakta shkencore të panumërta në formë të lidhjeve gjeometrike dhe natyrore. 

Në realitet Kur’ani dëshiron që të na rikujtojë neve që nëse jeni mësuar tashmë me fenomenet e përditshme natyrore e shoqërore si diçka rutine, kjo nuk duhet të bëhet shkak të harroni se këto fenomene nuk janë krijuar vetvetiu apo se rrjedhin vetvetiu. Ne duhet të kemi besim të thellë, në kuptimin që çdo gjë që vërejmë duhet që atë ta quajmë një shenjë të  Zotit, sepse ajo na  tregon neve dhe na kërkon që ta vërejmë në të Zotin, mirëpo jo vetëm me syrin në kokë, por dhe me syrin e zemrës (intelektit).

Pjesa e parë prej ajeteve të ndara në katër kategori flet rreth tokës, bimëve, frutave, dhe rregullsia që ekziston në sferën e bimëve.

Toka ngjallet dhe dhuron jetë

33. Dhe për ata është argument (për fuqinë e Zotit) toka e vdekur, të cilën Ne e ngjallim, nxjerrim prej saj drithë nga i cili ata hanë.

34. Dhe në të Ne u kemi bërë kopshte hurmash e rrushi dhe në të u kemi dhënë burime (uji). 

35. Ashtu që ata të hanë nga ata fruta dhe nga çka prodhojnë vetë duart e tyre. A i gëzojnë këto dhe nuk falënderojnë?

36. I pastër nga të metat është Ai që krijoi të gjitha llojet (çiftet) nga çka mban toka, nga vetë ata dhe nga çka ata nuk dinë.

Jeta e njeriut lidhet ngushtë me tokën dhe prodhimet e saj.Ushqimin që njeriu e nxjerr nga toka ndonjëherë është në formë të farave, të cilat mbijnë nga toka, si p.sh.gruri, thekra, dhe fara të ndryshme, dhe ndonjëherë nga toka mbijnë në formën e frytit. Në ajetet e lartpërmendura është folur për të dy këto grupe dhe në mes frutave ka përmendur si shembull hurmën dhe rrushin. Këto dy fruta të cilat konsumohen pothuajse në të gjitha anët e botës, janë të mbushur plot me vlera ushqyese si dhe në shijen e njeriut janë shumë të lezetshme dhe të këndshme, si dhe mund të qëndrojnë për një periudhë të gjatë kohore pa u prishur. Njeriu me anë të konsumimit të frutave, sidomos të këtyre dy frutave, për të cilat s’ka nevoja që t’iu hiqet as cipa para konsumit, e vërteton në mënyrë të qartë dhe të dukshëm, që vet njeriu s’ka pasur aspak gisht në përgatitjen e këtyre frutave. Me anë të rrushit dhe hurmës mund të përfitohen dhe lloje të tjera të prodhimeve ushqyese, ashtu si lopa dhe delja, të cilat mund të shfrytëzojmë dhe për qumështin, mishin, lëkurën, madje dhe brirët. Po ashtu në trungun e hurmës dhe të rrushit,  sidomos të këtij të fundit  mund të shfrytëzojmë dhe degët, gjethet, frutat dhe drurin. Po! Këto fruta ushqyese dhe këto fara të domosdoshme për jetën e njeriut, të gjitha këto prodhohen  nga toka, dhe Zoti është Ai i cili i rrit dhe i kultivon ata. Vallë a janë të vetëdijshëm njerëzit ndaj zanafillës së këtyre farave dhe frutave, të cilëve Zoti i Madhëruar i ka krijuar në çifte? Ashtu si njerëzit, çdo gjë që mbin nga toka si dhe shumë prej krijesave të tjera të Zotit që ju nuk i njihni ato, që të gjitha janë krijuar çifte – çifte. Edhe ky është një argument tjetër që bota s’është krijuar rastësisht dhe pa llogari.

Rendi dhe bukuria në Qiell

37. Për ata është argument edhe nata, prej të cilës largojmë ditën, kurse ata mbesin në terr.

38. Edhe Dielli udhëton për në kufirin e vet (në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i ngadhënjyesit, të dijshmit.

39. Edhe Hënës i kemi caktuar fazat (pozicionet) derisa të kthehet në trajtën e harkut (rrem i hurmës së tharë).

40. As dielli nuk mund ta arrijë hënën, e as nata paraditën po secili noton në një galaktikë.

Në katër ajetet e dyta, Kur’ani nga ne dëshiron që për një moment ta kthejmë kokën nga toka, bimët dhe luletë dhe të fokusohemi te qielli, hëna dhe dielli.Të reflektojmë rreth ditës dhe natës, dhe të tregojmë kujdes ndaj rendit që ekziston në univers.

Argumenti tjetër për fuqinë e Zotit është nata, afër perëndimit të diellit dita ngadalë -  ngadalë, si një lëkurë ose rrobë, e cila ndahet fare lehtë prej trupit të njeriut, largohet prej natës, dhe të gjithë tokën e mbulon errësira. Kjo errësirë edhe pse në vete është e trishtueshme, por me anë të hënës dhe yjeve ndriçuese formon një tabelë të bukur dhe tërheqëse para syve tanë.Përfytyrimi e natës, menjëherë na sjell ndër mend ditën dhe diellin që është fuqia e ditës. Ndonjëse toka rrotullohet rreth qiellit, dhe dielli nuk lëviz ndaj tokës, në realitet as dielli nuk është i palëvizshëm.Dielli së bashku me një familje që është po ai sistemi diellor udhëton për në cakun e vet të caktuar në galaktikë. Kjo lëvizje, e cila kryhet në bazë të një llogarie, rendi dhe mase të caktuar është “takdir” që do të thotë përcaktim i i Ngadhënjyesit, të dijshmit.

Nëse dielli lëviz, hëna gjithashtu rrotullohet rreth tokës, dhe përshkruan për një “muaj” rrotullimin e saj rreth Tokës, dhe çdo natë shihet në qiell në një vend të caktuar, në një formë apo tjetër. Në fillim hëna e re ka formën e një drapri, me kalimin e kohës pas disa netëve hëna bëhet më ndriçuese, derisa në natën e shtatë merr formën e një gjysmërrethi, dhe në natën e katërmbëdhjetë ka formën e një rrethi të plotë. Më pas përsëri fillon që t’i pakësohet drita dhe në fund të muajit thuajse zhduket fare, gjë që Kur’ani atë e ka krahasuar me “një grusht hurma të thara”.

Hëna me këto “fazat” e veta, sipas shprehjes së Kur’anit, me mijëra vjet përpara ka qenë kalendari më i mirë natyror për të gjithë njerëzit e botës.Me një rrotullim të saj të plotë rreth tokës, e cila afërsisht zgjat njëzet e nëntë ditë formohet një muaj hënor dhe me dymbëdhjetë herë rrotullime të saj rreth tokës formohet një vit hënor.Ky muaj dhe vit i cili përputhet me kohën dhe gjatësinë e periudhës së ndryshimeve natyrore dhe programeve të jetës shoqërore të njerëzimit, është paracaktuar me mijëra vjet përpara si një njësia kohore e përshtatshëm dhe një kalendar për të gjithë njerëzimin. 

Dhe pse hëna dhe dielli që të dyja lëvizin në qiell, dielli lëviz në mënyrë të shfaqur, që në realitet është shenjë e lëvizjes së Tokës rreth vetes, edhe hëna lëviz, por rruga dhe udhëtimi i tyre në orbitë është i përcaktuar, kështu që asnjëra s’mund ta arrijë tjetrën, por secili lëviz në një orbitë të veçantë.

Deti dhe anija e mbushur përplot

41. Argument për ta është edhe ajo se Ne pasardhësit e tyre (të Ademit) i bartëm në anije të mbushur përplot.

42. Dhe ngjashëm me të, u krijuam atyre diçka që t’i hipin.

43. E sikur të duam Ne, i përmbytim ata, e nuk ka efekt as lutja e tyre dhe as që do të shpëtonin.

44. Përveç nga mëshira Jonë ndaj tyre, dhe që të përjetojnë të mirat deri në një kohë të caktuar.

 Katër ajetet e lartpërmendura kësaj here argumentet e Zotit, në vend të tokës dhe të qiellit, i tregon në det. Anija e mbushur përplot me udhëtarë udhëton gjatë mbi ujin dhe valët e detit. Zhytja e hekurit dhe gurit në ujë nga njëra anë dhe notimi i dërrasës sipër saj në anën tjetër është në harmoni me rregullat e qëndrueshme natyrore, ashtu siç baraspeshimi i anijes me gjithë atë barrë është në përputhje me ligjet shkencore. Është e vërtetë që anijen dhe mjetet e tjera të transportit i ndërtojnë vetë njerëzit, por në realitet njerëzit me anë të zbulimit të rregullsive dhe ligjeve në natyrë që Zoti i ka parcaktuar në mënyrë të saktë dhe të qëndrueshme, mund të ndërtojnë anije dhe të tjera si ajo. Pra jo vetëm pema, fara, fruta, hëna dhe dielli që dukshëm janë larg dorës së njeriut, dhe janë fenomene natyrore, anija dhe mjete të tjera gjithashtu që ndërtohen nga dora e njeriut, në realitet janë shenjë e fuqisë dhe urtësisë së Zotit.  

Ato ligje shkencore të cilat anijen e mbajnë mbi ujë në formë të baraspeshuar janë përcaktim e Zotit dhe në dorë të Tij. Nëse Ai dëshiron që të fundosë atë (anijen), në botë ekzistojnë dhe fuqi të tjera që me anë të tyre mund të kryhet kjo vepër. Zoti po thotë Ne mundemi t’i fundosim ata, dhe kur ne përcaktojmë diçka lutja e tyre nuk do të ketë asnjë dobi dhe as që do të shpëtojnë. Përveç nëse Ne vetë i mëshirojmë ata, dhe lejojmë t’i gëzojnë të mirat deri në një kohë të caktuar.