Miratimi i statutit "TREPÇA” Sh.A një ngjarje e madhe

Publikuar në Maj 31, 2018, 2:31 a.m.

Sipas Ligjit për Trepçën, si dhe Ligjit për Shoqëritë Tregtare, Qeveria e Kosovës ka aprovuar propozimin nga Bordi Mbikëqyrës për Statutin e Shoqërisë Aksionare ,,TREPÇA” SH.A.

Miratimin e statutit të “TREPÇA” Sh.A. kryeministri e ka vlerësuar ngjarje të madhe për zhvillimin ekonomik të vendit.
Pas miratimit nga Qeveria, Statuti i shoqërisë aksionare ,,TREPÇA” SH.A, dërgohet në Kuvendin e Kosovës për shqyrtim dhe aprovim.
 

Statuti përcakton themeluesit, aksionet e tyre, veprimtarinë, strukturën organizative, kapitalin themeltar, menaxhimin, afarizmin, si dhe çështjet tjera organizative specifike të ,, TREPÇA’’ SH.A. Statusi përcakton Qeverinë e Republikës së Kosovës pronare të 80% të aksioneve, kurse pronarë të 20 % të aksioneve do të janë punëtorët, sipas Ligjit për Trepçën. ,,TREPÇA” SH.A. themelohet me transformimin e njësive biznesore:

 

  1. Minierat me Flotacion Trepça - Stan Tërg.
  2.  Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë 
  3.  Minierat me Flotacion Kopaonik - Leposaviq.


Bazuar në studimin e qëndrueshmërisë dhe arsyetimin ekonomik e financiar, në përbërje të ,,TREPÇA” SH.A do të formohen edhe këto njësi biznesore:
1. Metalurgjia e Plumbit;
2. Metalurgjia e Zinkut;
3. Industria Kimike.

Në mbledhjen e sotme është miratuar Urdhër për të gjithë stafin qeveritar dhe shërbimin civil për zbatimin e Udhëzimit Administrativ për udhëtimet zyrtare. Ky udhëzim rregullon mënyrën e realizimit të udhëtimeve zyrtare dhe pagesën e mëditjeve për këto udhëtime, duke siguruar përdorim ekonomik dhe efikas të mjeteve financiare të Qeverisë së Kosovës.