Gjashtëdhjetë pyetje fetare për fëmijët 3

nga Sejjid Riza Tabatabai | Publikuar në Maj 19, 2018, 2:02 a.m.

Ku është Zoti?

I pyeta të diturit ku është vendqëndrimi i Zotit?

Thanë që nuk ka vend, Ai është krijuesi i vendeve,

Por nëse shkon në kërkim të vendit të Zotit

Kudo që ka begati, mirësia e Zotit po aty është

Po ashtu në mes të detit, në fushë dhe horizonte

në qiell dhe male dhe në zemrat është Ai

 

Niveli i parë

Ku është Zoti?

Zoti i Gjithëmëshirshëm është kudo dhe është më afër me ne se çdo njeri dhe çdo gjë tjetër. Zoti është dhe në qiell dhe në tokë, edhe para teje edhe para meje, edhe në këtë botë edhe në parajsë.

A është e mundur që të ndodhet kudo dhe në çdo vend?

Të të bëj një pyetje: Ku është ajri?

Kudo.

Të lumtë, është dhe këtu dhe në qiell, dhe në anën tjetër të botës. Por tregohu i kujdesshëm, është e drejtë që thamë ajri ndodhet kudo  dhe Zoti gjithashtu ndodhet kudo, por Zoti nuk është si ajri. Ta solla këtë shembull që ta kuptosh më mirë çështjen. Zoti ndryshon nga çdo kush dhe çdo gjë dhe ndodhet kudo; madje dhe aty ku nuk ka ajër, siç është hapësira, zemra dhe mendjet tona.

Tani, nëse Zoti nuk do të ishte kudo i pranishëm, atëherë kush do të informohej në lidhje me nevojat e robërve dhe kush do të kujdesej për ushqimin e të gjitha gjallesave, madje dhe të milingonave që ndodhen në zemrën e shkretëtirës apo peshqit të cilët notojnë thellë në det, apo zogjtë të cilët fluturojnë në qiell? Nëse Zoti nuk do të ishe kudo i pranishëm atëherë si është e mundur që të dëgjojë lutjen e të gjithëve në mbarë botën? Zoti madje ndodhet në zemrën tënde të pastër. A e di se nga e kuptoj?

Nga ku?

Sepse ti e do Zotin e Mëshirshëm; andaj Zoti i Mëshirsëm ndodhet dhe në zemrën tënde.

Niveli i dytë

Është e mundur që në mendjen e njeriut të krijoht dhe kjo përshtypje që mbase dhe Zoti është si ne, ka vend, ose ndoshta njeriu të mendojë që Zoti ndodhet në qiell, mirëpo në kohën që marrim parasysh maksimën “asgjë nuk ngjason me Zotin” bëhet e qartë që Zoti dhe nga pikëpamja e vendit dallon me çdo gjë tjetër, kështu që për ta gjetur atë nuk kemi ndonjë rrugëzgjidhje, përpos nëse i kushtojmë vëmendje shenjave të Tij. Në kohën kur shikon shenjat e Tij kudo dhe në çdo vend, bëhet e qartë që Ai “është me çdo gjë”; kështu që “ai ndodhet kudo”. Shiko! Vallë përpos me vullnetin e Zotit bëhet nata ditë dhe dita natë?

Jo.

Vallë a është i fortë dhe i qëndrueshëm ky qiell dhe sferat  e panumërta, përpos me fuqinë e Zotit?

Jo.

Vallë a është e mundur rënia e shiut dhe mbirja e bimëve si dhe prodhimi i gjithë këtyre lëndëve ushqyese përpos me lejen dhe kërkesën e Zotit?

Jo.

Vallë a janë krijuar në det të gjitha ato mrekulli dhe madhështi përpos me lejen e Zotit?

Jo.

Atëherë shenjat e pranisë së Zotit janë të pranishme kudo dhe gjenden tek çdo gjë. Zotin mund ta shohim në bukurinë e luleve dhe freskinë e barit. Zotin mund ta kuptojmë në begatinë e intelektit dhe të arsyes. Zotin mund ta gjejmë tek dashuria e nënës dhe sakrifica e babait; Zotin mund ta shohim në kujdesin për robërit e vet me mijëra manifestime në këtë botë; dhe me të vërtetë Zoti është i pranishëm tek të gjitha këto manifestime.

Në kohën kur një fëmijë mëkon qumësht nëna shfaq ndaj tij dashuri; në kohën kur një kokërr gruri mbin dhe rritet nga një kallinj gruri, në kohën kur një gonxhe luleje shndërrohet në trëndafil dhe dhuron gjithë ato bukuri; në kohën kur vërejmë dhe shohim që të Dërguarit hyjnor dhe Librat qiellorë janë dërguar për udhëzimin dhe shpëtmin tonë; që të gjitha këto janë shenjë dhe dëshmi e pranisë dhe ekzistencës së Zotit të Madhëruar dhe të Gjithëmëshirshëm, Një dhe i Vetëm. Kështu që Zoti ndodhet kudo dhe gjendet tek çdo gjë.

Niveli i tretë

Në fillim duhet të të tregoj një çështje; Zoti që është Krijuesi i gjithçkaje vetë dallon me krijesat e veta: “...Asnjë send nuk është si Ai...”.[1] . Pra duhet të dish që është Krijuesi i vendit, por vetë nuk ka vend. Por për t’iu përgjigjur pyetjes nuk kam rrugëzgjidhje tjetër përpos që të të bëj një pyetje: Nëse do të të them ku ndodhet arti i një artisti? Ç’farë thua?

Them që ndodhet brenda vetes.

Në rregull. Por përderisa artisti nuk e shfaq talentin e vet vallë a mund ta zbulojmë ne talentin e tij?

Jo.

Në kohën kur një artist pikturon një pikturë dhe ua tregon atë të tjerëve, ata të cilët janë mendjelehtë dhe mendojnë si fëmijët e vegjël, kur e shohin pikturën ata vërejnë vetëm anën e jashtme të saj dhe po thonë: “Ç’farë pikture e bukur!” kurse ata të cilët mendojnë me logjikë, në kohën kur e shohin pikturën nuk po thonë vetëm “Ç’farë pikture e bukur!” por po thonë: “Ç’farë piktori artist!”. Vallë a është aty piktori që po thonë: “Ç’farë piktori artist!” Jo. Njerëzit inteligjent dhe të arsyeshëm pikturën e shohin si një manifestim të artit dhe dijes së piktorit, dhe për ata është e njëjtë sikur që po shohin një manifestim të vetë piktorit dhe po thonë: “Ç’farë piktori artist?” A është kështu?

Po. Dija, shkenca, arti dhe ... . vetë nuk kanë vend dhe formë; ne mund t’i kuptojmë ato në momentin e shfaqjes së tyre. Në realitet ne i shonim ato me anë të shikimit tonë realist dhe të logjikshëm. Si rrjedhojë mund të themi që kjo pikturë apo kjo “vepre” është shenjë e artit dhe dijes së atij artisti dhe krijuesi.

Dhe nëse nga ju kërkoj që të më tregoni artin e artistit, ti nuk ke asnjë mënyrë tjetër përpos që të më tregosh pikturën e artistit. Ose nga ti të kërkoj që të më tregosh dijen e shpikësit nuk keni asnjë rrugëzhgjidhje tjetër përpos që të më tregosh shpikjet e tij. A është kështu?

Po kështu është.

Pasi që ne i shohim ato, arti i çdo artisti shfaqet së bashku me pikturat dhe dija e shkencëtarit me shpikjet e tij. Kjo edhe nëse ato piktura dhe shpikje janë të shumta apo të shpërndara kudo nëpër botë. A është kështu?

Po.

Në lidhje me Zotin gjithashtu ndodh e njëjta gjë që do të thotë edhe pse të gjitha gjallesat janë vepër e dorës dhe artit të Zotit, në realitet janë manifestim i dijes, vullnetit, fuqisë dhe mëshirës së Zotit të Madhëruar. Si rrjdhojë duhet të themi që vullneti, fuqia dhe mëshira e Zotit manifestohet tek të gjitha krijesat; që do të thotë Zoti është tek të gjitha krijesat dhe kudo i shfaqur. Prandaj dhe themi: “Zoti është kudo”.

Sigurisht duhet të kemi parasysh dy çështje: Së pari është kjo që  në shembujt që sollëm, piktura dhe shpikja, kanë një aspekt trupor dhe është e mundur që ato t’i shfaqim në një vend të botës dhe në një pikë gjeografke, por Zoti i Madhëruar nuk ka trup dhe fizik dhe nuk është i kufizuar në një pikë; që do të thotë nuk ndodhet në një vend të caktuar. Së dyti nëse piktori apo shpikësi do të ishin dhe në anën tjetër të botës, piktura dhe shpikja e tyre gjithashtu mund të ekzistonin dhe të shfaqnin artin dhe dijen e tyre, por në lidhje me Zotin nuk ndodh kështu. Zoti i Madhëruar duhet të jetë së bashku me krijesat e veta që ato të ekzistojnë. A e dini pse?

Jo ... pse

Eja të të them një shembull. Shihe këtë orë! Madje edhe nëse orë ndreqësi do të largohej nga kjo botë, kjo orë mund të ekzistojë dhe të punojë për arsye se asnjë nga pjesët e kësaj ore nuk varen apo kanë lidhje të drejtpërdrejtë me jetën dhe ekzistencën e vetë orë ndreqësit, kurse në lidhje me Zotin e Madhëruar dhe krijesave të Tij nuk vlen e njëjta gjë. Duke u nisur nga fakti që të gjita krijesat për qenien e tyre janë nevojtare për ekzistencën e Zotit, Zoti i Madhëruar duhet që gjithnjë të jetë i shoqëruar me ato (të ua jap atyre dritën e ekzistencës së Vet) në mënyrë që të ekzistojnë, në të kundërt çdo gjë do të eliminohet dhe zhduket.

A mund të japësh më shumë shpjegim?

Po, pa dyshim. Shpresoj që nëpërmjet një shembulli tjetër të të largohet paqartësia. Imagjino sikur do të futemi së bashku në një dhomë të errët dhe unë do të ndez llampën në mëynrë që sytë tanë të shohin gjërat përreth. Tani nëse ndokush thotë: “Tani që kudo ka dritë dhe sytë tanë shohin çdo gjë, për të kursyer energjinë elektrike duheh të fiken llampat!” sipas teje pasi që të jetë fikur llampa, a jemi në gjendje sërish të shohim objektet që na rrethojnë?

Jo.

Sigurisht që jo! Sepse llampa duhet që gjithnjë të ndriçojë mbi çdo gjë në mënyrë që çdo gjë të shohim dhe nëse edhe për një çast nuk ndriçon, atëherë nuk mund të shohim asgjë. Edhe pse është një ilustrim i mangët kjo ngjan me dritën e ekzistencës së Zotit, në mënyrë që nëse vetëm për një çast të vetëm Zoti nuk do të ndriçonte krijesën e vet, ajo krijesë nuk do të ekzistonte më dhe do të zhdukej. Nga këtu është që themi Zoti duhet të jetë me çdo gjë  në mëyrë që çdo gjë të ekzistojë. Kështu që Zoti i Madhëruar është kudo dhe me të gjitha krijesat. Në lutjen e ditës së Enjte lexojmë: “O Ai i cili të gjitha krijesave gjithnjë i dhuron mirësi (siç është mirësia e ekzistmit)!.

Niveli i katërt

Më lejo që në përgjige të pyetjes tënde të sjell një transmetim: “Një ditë një prej dijetarëve hebre erdhi në prani të një njeriu të painformuar prej muslimanëve dhe e pyeti atë: Zoti a është në qiell apo në tokë? Dëgjoi këtë përgjigje: Zoti është në qiell ulur mbi Fronin e Tij. Njeriu hebre tha: Si rrjedhojë toka është e zbrazët nga Zoti dhe Zoti ndodhet në një vend të caktuar  dhe nuk ndodhet në vende tjera. Njeriu besimtar u zemërua dhe iu përgjigj: Ky mendim është prej njerëzve të pafe. Largohu në të kundërt iu vras!

Njeriu hebre u kthye me një habi të madhe dhe duke u tallur me islamin. Gjatë rrugës u ballafaqua me imam Aliun (a.s) i cili i tha atij: “Unë e di që ke biseduar me atë beduin dhe ç’farë përgjigje të dha ai. Por dije që ne jemi të mendimit që Zoti ka krijuar hapësirën, kështu që vetë nuk mund të ketë vend (të zë hapësirë), bile më shumë se kaq, ai është më i lartësuar se ndonjë vend ta zë atë. Mirëpo me këtë përshkrim Zoti është i kudondodhur, pa pasur kontakt me ndonjë send apo afërsi me ndonjë objekti. Nga pikëpamja shkencore Ai rrethon të gjiha vendet, dhe asnjë prej krijesave nuk është i zbrazët prej urdhrit/drejtimit të Tij. Nëse do të të transmetoj një çështje nga librat e juaj në mënyrë që të dëshmojë për ato që thashë a do të konvertohesh në islam? Burri hebre tha: Po! Imam Aliu tha: “Vallë në librat tuaj nuk është përmendur kjo çështje që një ditë Hz. Musa bin Imran (a.s) ishte ulur dhe papritmas iu shfaq një engjëll nga Lindja. Hz. Musa e pyeti atë: Nga ke ardhur? Tha: Nga prania e Zotit. Një engjëll tjetër erdhi nga Perëndimi. Hz. Musa e pyeti: Nga ke ardhur? Dëgjoi përgjigjen: Nga prania e Zotit. Erdhi dhe një engjëll tjetër. Hz. Musa pyeti: Nga ke ardhur? Ai u përgjigj: Nga toka e shtatë dhe nga prania e Zotit. Hz. Musa duke parë këtë pikëpamje dhe këndvështrim i habitur tha: I pastër dhe i lartësuar është Zoti që asnjë vend nuk është i zbrazët nga Ai dhe nuk është më i afër me një vendi në krahasim me një vend tjetër”. Pas tregimit të këtij citimi shkencëtari hebre tha: Dëshmoj që ato që the janë plotësisht të sakta dhe ti je më i denjë që të jesh pasardhësi i Profetit tënd”.   

 

[1] Shura /11